19 dhjetor 2013- Policia e Kurbinit arrestoi dje 32-vjeçaren L.Legisi, pas denoncimit të bashkëshortit të saj, 40-vjeçarit K. Legisi. Sipas ekspertëve të Policisë, i dëmtuari kishte shenja dhune në trup dhe të çara në kokë. Ai i është nënshtruar edhe ndërhyrjes kirurgjikale për shkak të plagëve të thella që i ishin shkaktuar si pasojë e dhunës. Sipas Policisë, 32-vjeçarja është arrestuar për veprën penale të “dhunës në familje”. 

Pasi ka marrë veten nga dhuna e ushtruar ndaj tij, Kastriot Legisi ka rrëfyer në Komisariatin e Kurbinit se e shoqja e kishte dhunuar në prezencë të dy fëmijëve të mitur. “Ajo erdhi në shtëpi pas punës. Punonte si kameriere në një lokal në lagjen e Sanxhakut. Ishte shumë e xhindosur dhe, sapo u fut brenda, nisi të më kërcënonte dhe të më qëllonte me sende të forta. Po bërtiste pse unë kisha shkuar në shtëpinë e prindërve të saj në fshatin Adriatik dhe isha ankuar për të se më dhunonte dhe nuk më pyeste”. 

Kështu është shprehur në polici 40- vjeçari, ndërsa ka kërkuar arrestimin e së shoqes duke e konsideruar atë si të rrezikshme. Sipas dëshmisë së tij, pasi ishte ankuar në banesën e saj, i ati e kishte marrë në telefon të bijën dhe i kishte bërtitur. Menjëherë pas telefonatës së të atit, 32-vjeçarja është nisur për në banesë dhe e ka qëlluar të shoqin me mjete të forta duke i shkaktuar plagë të thella në kokë. 

“Edhe para gjashtë muajsh ajo më ka goditur me thikë në shpatull. Ma nguli tehun deri në kockë. Nuk u ankova se më vinte keq për dy fëmijët e vegjël, por edhe nga turpi. Kemi pasur vazhdimisht kontradikta. Prej 6 muajsh, ajo nuk pranon as të flejë me mua. Madje mban një thikë poshtë jastëkut dhe më kërcënon se do të ma ngulë nëse i afrohem”, është shprehur më tej 40-vjeçari.

Ndërsa e shoqja nuk e ka pranuar dhunën ndaj tij. Ajo ka dëshmuar se ishte e detyruar të punonte për të mbajtur të gjithë familjen, ndërsa burri i saj rrinte i papunë.

 

http://www.panorama.com.al/2013/12/19/masakrohet-nga-gruaja-i-shoqi-me-thike-nen-jastek/