10 qershor 2015 – Posterat e kandidatit të majtë të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, janë dhunuar ditën e sotme. Shtabi i fushatës së Dakos denoncoi në polici dhunimin dhe materialet zgjedhore në qytetin e Durrësit. “Ky veprim i shëmtuar ndodhi duke u gdhirë data 10 qershor. Në citylight-in përballë stacionit të autobusit të plazhit, në lagjen nr. 5, është goditur dhe dëmtuar xhami mbrojtës, si dhe citylight-i tek lagja nr. 1, pranë shëtitores ‘Taulantia’, i cili është shkatërruar pothuajse plotësisht”, thuhet në deklaratën për shtyp. Sipas përfaqësuesve të kandidatit të majtë, këto akte nuk kanë asgjë të përbashkët me traditën e mirënjohur të qytetarisë durrsake dhe i bëjnë thirrje militantëve politikë që të ruajnë qetësinë.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”





