GJIROKASTËR, 04 mars 2013- Dhunohet zyra e shoqatës OMONIA në Gjirokastër. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërkohë që raportohet se persona të paidentifikuar kanë thyer xhamat e zyrës, ndërkohë që dokumentat hidhen në rrugë. 

Përkthyesi i zyrës së OMONIA, Thanas Suxho i cili ka konstatuar i pari dëmtimet e zyrës ka lajmëruar menjëherë policinë, e cila ka nisur hetimet. Suxho ka dënuar aktin e rëndë duke e cilësuar 'akt vandal', ndërkohë që ka kërkuar zbardhjen e ngjarjes nga policia. 

Nga hetimet paraprake policia bën me dije se ka konstatuar gjurmë gjaku në xhamat e thyer, ndërkohë që pritet ekspertiza kriminalistike dhe mjeko-ligjore për të bërë të mundur identifikimin e autorëve. 

Policia e qytetit jugor njofton se organizata nuk ka bërë denoncimin për incidentin e rëndë, ndërkohë që i pyetur nga News24 kreu i OMONIA-s, Dhimitër Maliqu nuk ka dashur të flasë për ngjarjen.

Organizata dhe partia pro greke konfirmojnë janë njohur për mbështetjen e tyre pro minoritarëve grek teksa si dhe skandalin e varreve në Boboshticë, për të cilën ish-kreu i saj Naum Disho është në proces gjyqësor. Skandali i Boboshticës u shënua 2 vjet më parë, kur u ngrit pa leje memoriali për ushtarët e rënë grekë mbi varret shekullore të banorëve të Boboshticës.