Është gjetur rreth mesditën e sotme (22 shkurt) trupi i pajetë i 20-vjeçarit me origjinë shqiptare, që një ditë më parë ishte hedhur në ujërat e portit të Civitanova Marche, pasi kishte dhunuar nënën e tij duke e goditur me grushte në fytyrë. Lajmi është konfirmuar për mediat italiane nga burime të zjarrfikësve.
Viktima është Riccardo Merkuri, i cili pas agresionit ishte larguar nga banesa me makinën e tij tip “Mercedes”. Ai kishte lënë telefonin celular në shtëpi në Pollenza dhe ishte nisur drejt Civitanova Marche. Që nga mbrëmja e së premtes, i riu kishte humbur çdo gjurmë.
Hipoteza e hetuesve, tashmë e konfirmuar, ishte se 20-vjeçari ishte hedhur vullnetarisht në det. Automjeti i tij ishte gjetur pranë hyrjes së portit.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, i riu është filmuar fillimisht në hyrje të portit, më pas teksa hidhej në det. Një tjetër regjistrim e tregon duke dalë sërish në sipërfaqe dhe duke u hedhur përsëri më tej, pa u rishfaqur më.
Operacioni i kërkimit u ndërmor menjëherë nga zjarrfikësit, në bashkëpunim me polumbarët e Teramos, Gardën Bregdetare dhe karabinierët. Për shkak të errësirës, kërkimet u ndërprenë mbrëmjen e djeshme dhe rifilluan këtë mëngjes me ndihmën e dronëve në zonën ujore përballë portit, ku edhe u bë e mundur gjetja e trupit.





