Gjykata e Korçës ka lënë në burg 29-vjeçarin Denis Meçe, i cili dyshohet se dhunoi për vdekje Egli Progën, ngjarje e ndodhur pasditen e së shtunës në Pogradec. 

Ndërsa për tre të akuzuarit për moskallëzim krimi Voltan Shulku, Arian Manellari, Leonidha Guçe, togat e zeza caktuan masën “detyrim paraqitje”. 

Vendimi i Gjykatës: 

Në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Korçë, u zhvillua sot në datën 13.08.2024 ora 11:00 seanca me objekt: “Vleftësim arresti në flagrancë, caktim mase sigurimi”, ndaj shtetasve D.M, V.SH, A.M, L.G ku gjykata në përfundim vendosi: Pranimin e kërkesës. 

1- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” ndaj shtetasit D.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia” parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal. 

2- Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit V.Sh, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal. 

3-Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit A.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal. 

4-Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj shtetasit L.G, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal. 

Në ambientet e jashtme të godinës ndodheshin edhe familjarë të viktimës, mes tyre motra e Egli Progës, e cila kërkonte të shikonte autorin e dyshuar të krimit dhe të arrestuarit e tjerë. 

Familja e viktimës ka pretenduar se policia ka fshehur vrasjen e 42-vjeçarit, duke deklaruar se Elgi Proga kishte vdekur pasi është rrëzuar në rrugë në gjendje të dehur. Gjithashtu kanë deklaruar se në vrasjen e tij nuk është përfshirë vetëm një person, por hedhin akuza për krim të ndodhur në bashkëpunim. 

Sipas informacioneve rezulton se Denis Meçe është nipi i ish-drejtorit të Postës Shqiptare, Valter Goro.