Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur mëngjesin e sotëm aksionin për shembjen e restorantit "Panorma", pronë e Mihal Kokëdhimës, i cili u arrestua pasi dhunoi turistët spanjollë.
IKMT bën me dije se ky objekt rezulton pa leje, ndërkohë që shfrytëzonte kundrejt pagesës edhe pjesën e plazhit.
NJOFTIMI I PLOTË
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka vendosur të prishë bar-restorantin "Panorma" në Porto-Palermo, i ekspozuar publikisht pas një skandali të pronarit me disa turistë spanjollë dhe dy shoqëruesit e tyre shqiptarë.
Objekti rreth 2 mijë metër katror, i ndërtuar në një nga zonat më të bukura bregdetare të Shqipërisë, rezulton pa leje, ndërkohë që shfrytëzonte kundrejt pagesës edhe pjesën e plazhit.
Në këtë operacion, IKMT nuk ka hasur në kundërshtime të qytetarëve. Çdo veprim i saj ka qenë i koordinuar ngushtësisht me policinë e shtetit.
Menjëherë pas përfundimit të këtij operacioni, IKMT do të vijojë punën në gjithë vijën bregdetare te vendit.





