Një ngjarje e rëndë është parandaluar mbrëmë në qytetin e Fierit. Një 27 vjeçar, Ervin Saliaj, banues në lagjen “29 Nëntori”, është arrestuar pasi rreth orës 17:00 të ditës së djeshme, në lagjen “Apollonia”, në ambientet e një agjencie udhëtimesh, ka rrahur e kanosur për jetën ish­ bashkëshorten, E.S., 27 vjeçe, banuese në lagjen “8 Shkurti” Fier, punonjëse në këtë agjenci.

Nga martesa çifit kishte një fëmijë tre vjeçar, ku gjykata kishte vendosur ta mbante e ëma, por këtu nis dhe problemi i Ervin Saliaj, pasi ai nuk bie dakort me vendimin e gjykatës dhe e mban vetë fëmijën duke mos e kthyer tek e ëma.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka kapur Saliaj duke goditur ish-bashkëshorten e duke e kanosur atë që ajo të mos e kërkonte më atë, ndryshe do të kishte pasoja.

Dëshmitarët okularë kanë sinjalizuar uniformat blu, të cilat kanë ndërhyrë, duke parandaluar përshkallëzimin e situatës.

Policia sqaron se 27 ­vjecari u arrestua në kushtet e flagrancës, i akuzuar për veprat penale “Dhunë në familje”, “Kanosje serioze për hakmarrje”, “Marrja e padrejtë e fëmijës” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.