Fëmijët me aftësi të kufizuara, por edhe të rritur, që marrin shërbim psiko-social dhe shëndetësor në Qendrën e Zhvillimit Rezidencial në Durrës, nuk festuan vetëm në këtë fundvit.

Deputeti i Partisë Socialiste, Arkend Balla, nisi një fushatë në ndihmë të tyre. “Dora e ngrohtë” mblodhi donacione nga biznese dhe individë me të cilat u blenë tryeza, krevatë, dollapë dhe ndihma të tjera për të plotësuar nevojat e Qendrës.

Ditën e sotme deputeti Balla zhvilloi një vizitë në qendër ku dhe shpërndau ndihmat e mbledhura nga fushata. Për të zbukuruar festën e fëmijëve me aftësi të kufizuara u organizua dhe një festë me animator.

“Falënderoj me zemër të gjithë ata që iu bashkuan nismës dhe jam i bindur që do t’iu gjendemi sërish pranë këtyre fëmijëve dhe gjithë njerëzve në nevojë”, shkruan deputeti Balla në “Facebook”.