7 janar 2015 –  E keni parasysh atë ditën e Mësuesit, kur fëmijët vërshojnë me dhurata për mësuesit e tyre? Besoj e keni parasysh edhe sa shumë na pëlqen të krahasohemi me Gjermaninë. Tani bëni krahasimin.

Një klasë e dhjetë në Berlin të Gjermanisë, vendosi të blejë një skulpturë për mësuesen e tyre në fund të vitit shkollor si shenjë falenderimi.

Skulptura, e ngjashme me punimet e Loriot, që tregon dy burra në një vaskë, kushtoi 198 euro. Fëmijët mblodhën paratë dhe blenë dhuratën, por një prind ishte i vëmendshëm. Ai vendosi të padisë mësuesen. Prokuroria ngriti akuzën, pasi sipas ligjit, ajo mund të marrë dhurata deri në dhjetë euro, madje kjo e specifikuar për akte të veçanta.

Tani mësuesja e shkretë duhet të paguajë 4 mijë euro gjobë.

Me mësuesen ka pasur shumë solidaritet.

Përfaqësuesi i një grupi prindërish tha se me 10 euro, nuk blihet as një tufë lule.

/Mapo/