Diabeti apo sëmundja e sheqerit siç njihet në gjuhën e popullit po njeh rritje të rasteve në vitet e fundit. Është ndër të paktat sëmundje që arrin të prekë në heshtje të gjitha organet kryesorë të trupit duke çuar shpesh edhe në humbje të kontrollit. Kjo gjendje agravohet më tepër gjatë verës. Ndodh shpesh që diabetiku të mos jetë i vetëdijshëm, të paraqitet pa ndjenja në ambiente plazhi, hoteli apo në rrugë. Kjo periudhë konsiderohet si stina më e vështirë e përshtatshmërisë së organizmit tonë, e në veçanti kur termometri shënon rreth 40 gradë, ndaj në këto momente edhe komplikacionet e diabetit rëndohen shumë, madje duke rrezikuar dhe jetën.
Mjekja endokrinologe pranë spitalit të Durrësit, Lindita Dedej shprehet se në ambulatorin diabetik pranë Spitalit Rajonal këto ditë të nxehta vere numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë nga mjekët është mbi 80 në ditë.
Sipas mjekes endokrinologe sëmundja e sheqerit kërkon një kujdes të veçantë në çdo stinë të vitit sidomos në ditët me temperatura të larta ndaj dhe këshillon të sëmurët diabetikë që të mos ekspozohen gjatë në diell, dhe të mënjanojnë daljen në diell nga ora 10:00 paradite deri në orën 16:00 pasdite.
Diabeti ka njohur rritje të rasteve vitet e fundit, ndërkohë që mjekët vënë alarmin për shifrat alarmante të tij. Grupmosha më e prekur nga diabeti është 40-65 vjeç, që përbën gati 40% të rasteve, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç.
K.H.