Projektligji i ri i Eficencës së Energjisë dhe zbatimi i tij në nivel vendor ka mbledhur në një diskutim të hapur në bashkinë e Durrësit drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të institucioneve publike dhe nga bota akademike si dhe biznese konsumues të energjisë. Aktiviteti, i mbajtur në sallën e Këshillit Bashkiak u organizua nga Akademia e Studimeve Politike, (një program i Këshillit të Evropës), me kontributin e GIZ Albania, në kuadër të iniciativës rajonale “Dialogu Publik për përdorimin e Qëndrueshëm të Energjisë në Europën Juglindore“.

Pjesëmarrësit në këtë takim diskutuan mbi përdorimin e qëndrueshëm të energjisë në rajonin e Durrësit. Në këtë aktivitet u prezantuan risitë që sjell projektligji i ri i efiçiencës së energjisë dhe njëkohësisht detyrat dhe masat që parashikohet të merren nga bashkitë për të plotësuar standartet e duhura të eficencës së energjisë.

Drejtori i politikave të zhvillimit në bashkinë e Durrësit u shpreh i kënaqur për këtë dialog publik, pasi sipas tij nisma të tilla ndihmojnë jo vetëm për të shpjeguar më në detaje legjislacionin e ri që po hartohet për këtë fushë, por njëkohësisht mbledhin opinione të vlefshme nga grupet e interesit. Kokomani theksoi se vitet e fundit konsumi i energjisë për ndriçimin e qytetit është rritur 10-15 herë më shumë, gjë që domosdoshmërisht lind nevojën e aplikimit të metodave dhe praktikave më novatore për të ulur konsumin.

Ekspertët e ftuar në këtë diskutim sollën shembullin e planit të kursimit të energjisë të bashkisë së Tiranës, si një nismë që do të zbatohet në një periudhë të afërt edhe nga bashkia e Durrësit. Vetë përfaqësuesit e bashkisë së qytetit sollën një studim të kryer prej tyre mbi llogaritjen e konsumit të energjisë elektrike për ndriçimin publik të Durrësit dhe kursimet që do të sillte zëvendësimi i llampave aktuale të ndriçimit me teknologjitë moderne dhe eficente.

Ndërkohë Johannes Elle, përfaqësues i Bashkëpunimit Ndërkombëtar Gjerman (GIZ) u shpreh gjatë takimit se për institucionin që ai drejton është mjaft e rëndësishme dhënia e eksperiencës në këtë fushë partnerëve me të cilët kanë krijuar një bashkëpunim të frytshëm. Elle tha se krijimi i programeve lokale dhe incentivave financiare që mund të ndërmerren nga pushteti vendor për të stimuluar bizneset që përdorin masa eficente dhe ulin ndotjen e mjedisit (rimbursimi i taksave lokale, akordimi i çmimeve vjetore për bizneset eficente, dhënia e çertifikatave të mirënjohjes) është një metodë që ka dhënë efekte pozitive në vendet ku është aplikuar, për këtë arsye po shihet mundësia e aplikimit të tyre edhe në Shqipëri.

Diskutimet e hapura të pjesëmarrësve u fokusuan në disa çështje kryesore si: rritja e njohurive dhe ndërgjegjësimit të përfaqësuesve të qeverisjes vendore dhe faktorëve të tjerë relevantë në qytet mbi energjinë e rinovueshme dhe efiçencën e energjisë (termoizolimi i ndërtesave publike, instalimi i paneleve diellore, ngrohjes së serave me energji nga biomasa etj); përcaktimi i masave eficente të energjisë në institucionet në varësi të bashkive dhe komunave, por edhe bizneset private (izolimin termik dhe përdorimin e paneleve diellorë në ngrohjen e shkollave, kopshteve, kinemave, bibliotekave etj).

Për të ulur sa më shumë koston e faturës së energjisë elektrike që duhet të paguajë bashkia nga buxheti i saj është i nevojshëm aplikimi i praktikave të tilla u nënvizua nga referuesit në takim. Në përputhje me Direktivat Europiane  dhe paketën e udhëzimeve për energjinë dhe mbrojten e mjedisit, Shqipëria ka vendosur objektiva ambicioze; rritjen e efiçiencës së energjisë me 9% deri në vitin 2018. Për të arritur objektivin e rritjes së efiçiencës së energjisë, duhet të punojnë së bashku të gjithë sektorët e shoqërisë, jo vetëm insititucione publike dhe legjislative, por edhe shoqëria civile, ndërmarrjet, mediat dhe secili individ u tha në takim.

Ky aktivitet ishte pjesë e iniciativës rajonale “Dialogu Publik për përdorimin e Qëndrueshëm të Energjisë në Europën Juglindore“, i cili zbatohet nga Rrjeti i Shkollave të Studimeve Politike në Europën Juglindore me mbështetjen e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Gjerman (GIZ) nën kujdesin e Ministrisë Federale Gjermane të Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit (BMZ).