Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë në edicionin e 10-të të Konferencës Ndërkombëtare “Dialogu i Mesdheut 2024” që u mbajt në Romë, ku u diskutua mbi rolin kyç të Ballkanit Perëndimor në forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajonin e Mesdheut.

Në panelin “Roli i Ballkanit Perëndimor në Sigurinë e Mesdheut”, Ministri Hasani theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe energjetik mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Ministri gjithashtu theksoi se procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane, përfshirë edhe në kuadër të politikave të sigurisë dhe mbrojtjes, është një hap thelbësor për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Gjatë dekadës së fundit, Ballkani Perëndimor ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve midis Evropës dhe rajonit të Mesdheut. Përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe angazhimit të përbashkët në nismat e sigurisë, mund të ndihmojmë në stabilizimin e rajonit dhe në mbështetje të qëndrueshmërisë afatgjatë të Mesdheut,”- u shpreh Ministri Hasani në fjalën e tij.

Në takimin e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, mori pjesë Kryeministrja e Italisë si dhe kryediplomatë, ekspertë dhe analistë nga vende të ndryshme, për të adresuar sfidat më të mëdha me të cilat përballen vendet e Mesdheut.