PRISHTINE, 16 prill 2013 – Kosova dhe Serbia pritet të zhvillojnë të mërkurën në Bruksel raundin e ri në kuadër të serisë finale të dialogut në përpjekje të arritjes së marrëveshjes së cilësuar si historike.

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme, Maja Kociançiq ka konfirmuar se baronesha Catherine Ashton i ka ftuar kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë në takimin e të mërkurës.

Paraprakisht, nga Brukseli ishte bërë me dije se takimi do të zhvillohet vetëm nëse palët janë të gatshme për nënshkrimin e marrëveshjes.

“Kam kërkuar nga ta (kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë) të vijnë në një frymë konstruktive, të gatshëm për të eksploruar opsionet e ndryshme dhe për t’u pajtuar mbi një kompromis të ndërsjellë”, citohet të ketë thënë baronesha Ashton.

Kryeministri Hashim Thaçi ka udhëtuar drejt Brukselit me bindjen se marrëveshja do të nënshkruhet dhe kështu të fillojë edhe një epokë e re e marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje.

Me arritjen eventuale të marrëveshjes për kompetencat e asociacionit të komunave serbe, përmes së cilës do të konsiderohej se është arritur edhe zgjidhja për funksionimin e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, pritet që Kosova dhe Serbia të arrijnë edhe deri te marrëveshja finale për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën Ashton e kishte vënë si qëllimin kryesor të këtij dialogu.