Debutim i pafatë për Luiza Gegën në mitingun e Diamond League, Shanghai 2017. Atletja shqiptare nuk arriti të vendoste rekord kombëtar, në 3.000 metra me pengesa, madje nuk arriti të përfundonte dot as garën.
Në Kinën e largët, rekordmenia shqiptare konkurroi në këtë disiplinë me objektivin e qartë për të thyer kohën 9:28.52, të mbajtur nga ajo vetë.
Por, konkurrimi i 28-vjeçares u kopromentua prej xhiros së parë.Luiza u përplas me një atlete kundërshtare në kalimin e një prej pengesave, duke humbur terren nga kreu.
Kur kaloi thuajse gjysma e garës dhe ishte e pamundur të rivalizonte për vendet e para, atletja dibrane u tërhoq nga pista. Gega ishte një prej tre sportisteve që nuk arritën ta mbyllin garën, me diferencën se dy kenianet e tërhequra e kishin deklaruar prej startit se nuk kishin synim të arrinin në finish, por luajtën rolin e lepurit, për të rritur ritmin.
Fituese e garës së 3,000 metrave me pengesa u shpall Ruth Jebet që përfaqësonte Bahreinin, e cila vendosi edhe rekord të mitingut me kohën 9 minuta 4 sekonda 78 të qindtat.