Shkrimtarja dhe aktivistja shoqërore Diana Çuli nderohet në Durrës me Urdhrin e Meritës së Republikës Italiane. Nderimi i Çulit vjen nga Presidenti i Republikës Italiane Giorgio Napolitano për veprimtari të shquar ndaj shtetit italian në fushën e letërsisë, arteve, ekonomisë si dhe për kryerjen e detyrave publike apo të veprimtarive shoqërore dhe humanitare. Titulli i Urdhërit të Meritës së Republikës së Italisë (OMRI) iu dorëzua nga Ambasadori i Italisë Massimo Gaiani, gjatë një ceremonie të ngrohtë dorëzimi të zhvilluar pranë Qendrës së Kurseve, që është ngritur në ambjentet e ish-URT-së në Durrës.

Gazetare, shkrimtare dhe përkthyese, Diana Çuli ka ditur të rrëfejë me përpikmëri dhe ndjeshmëri historitë dhe ndryshimet e vendit, si dhe të përpiqet përtej rrëfimit për të ndikuar në to. Dhënia e këtij titulli nderi motivohet ndër të tjera: “Falë dashurisë dhe njohjes së thellë të gjuhës dhe kulturës italiane, Diana Çuli ka vendosur ngjarjet e disa prej romaneve të saj mes Italisë dhe Shqipërisë, si dhe ka botuar në gjuhën italiane romanet “Scrivere sull’acqua” dhe “Angeli armati”.

Prej kohësh Diana Çuli është e angazhuar në fushën e të drejtave të njeriut dhe të grave”. Me veprimtarinë e vazhdueshme shoqërore dhe politike në mbështetje të lëvizjes së grave në Shqipëri, si dhe në rajon, ka dhënë një ndihmesë për nxitjen e rolit të gruas në shoqëri, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në këtë fushë mes shoqërisë dhe institucioneve të dy vendeve që shtrihen përgjatë dy brigjeve të Adriatikut.

Diana Çuli krahas aktivitetit të saj krijues dhe politik është mjaft e angazhuar me aktivitete dhe projekte në mbështetje të grave shqiptare, duke ngritur zërin mbi realitetin e grave, mbrojtjen e të drejtave të tyre, përpjekjet për të siguruar rritjen e nivelit social të tyre dhe sigurimin e hapësirave në tregun e vështirë të punës.

Drejtuese e Forumit të Pavarur të Gruas Shqiptare, Diana Çuli e ka përcjellë realitetin dhe zërin e gruas dhe në forume e konferenca të shumta ndërkombëtare, duke u bërë e njohur dhe për aktivitetin e saj. Gjatë ceremonisë së dorëzimit të titullit Çuli është shfaqur shumë e emocionuar dhe mirënjohëse për vlerësimin e lartë të dhënë nga kreu i shtetit italian për punën, kontributin e saj që ka shërbyer dhe për të thyer kufijtë mes dy vendeve, pavarësisht regjimit të vizave dhe hapësirës ujore që na ndante më parë.

Akordimin e çmimit, Diana e sheh si vlerësim për punën e bërë në fushën e kulturës dhe atë sociale: “për faktin se kam punuar shume me partneritete nga Italia, kam përkthyer autorë italiane, kam nxitur botimin e shumë shkrimtarëve italiane dhe me shoqatën që drejtoj kemi ndihmuar në shkëmbime kulturore e sociale mes të dy vendeve”.