Kur një prej kompozitoreve më të mëdha të të gjitha kohërave si Diane Warren thotë për një artiste: “Kjo vajzë këndon si e çmendur! Është në nivelin e Celine Dion”, atëherë e kupton se bëhet fjalë për një talent që nuk vjen çdo ditë. Dhe emri i atij talenti është Arilena Ara, që po tërheq vëmendjen e mediave më prestigjioze ndërkombëtare.

Pas më shumë se një dekade karrierë në Europë, suksese të njëpasnjëshme në toplista, çmime si “Artistja e Vitit” në disa vende, dhe rolin si juri në spektakle të mëdha si ‘X Factor Albania’ dhe ‘The Voice of Albania’, Arilena ka bërë hapin e madh drejt tregut amerikan. Dhe ky hap, nuk mund të kishte nisur më fuqishëm se me një bashkëpunim me vetë Diane Warren, fituese e ‘Grammy’, ‘Golden Globe’ dhe nominuar për më shumë se 14 herë për ‘Oscar’, autore e këngëve që janë kthyer në himne të botës si “Because You Loved Me” e Celine Dion, “I Don’t Want to Miss a Thing” e Aerosmith, apo “If I Could Turn Back Time” e Cher.

Në një artikull të fundit të publikuar në ‘Music Television’ nga gazetarja Lyndsey Parker, e cila ka ndjekur për vite karrierat e artistëve më të mëdhenj, për Arilenën shkruhet për një “zë që trondit, një vajzë e cila “jo vetëm nuk është përkëdhelur nga suksesi, por e ka ndërtuar vetë çdo shkallë të tij, me punë të palodhur, profesionalizëm dhe një uragan emocional në zë”.

“Weightless”, kënga e saj debutuese në tregun amerikan, është një baladë klasike në stilin Warren, e fuqishme, e thellë dhe emocionale. Diane Warren, e cila është mësuar të dëgjojë zëra të mëdhenj, nuk e fsheh entuziazmin për bashkëpunimin me Arilenën: “Kur ajo e këndoi për herë të parë, thjesht thashë: Kjo është ajo që kam kërkuar. Ishte më shumë sesa prisja.”

Por rruga drejt këtij bashkëpunimi nuk ka qenë e rastësishme. Warren e përshkruan Arilenën si një artiste të uritur për t’ia dalë, një grua që ka kaluar përmes 10 mijë orëve të famshme të stërvitjes dhe përgatitjes, dhe që ka “atë zjarrin” që e dallon një yll të lindur nga një artist i zakonshëm. Për të, Arilena është një nga ato raste të rralla ku një këngë e shkruar pa destinacion gjen në mënyrë perfekte zërin e saj të duhur.

Nga ana tjetër, Arilena e përshkruan bashkëpunimin me Diane si “prova më e madhe e karrierës sime”. Me sinqeritet të rrallë, ajo rrëfen se nuk ka pasur asnjëherë më shumë frikë sesa në momentin që këndoi për Warren në studio. “Nuk mund të krahasohet me X Factor. Kur isha 14 nuk kisha çfarë të humbja. Por Diane? Ajo ka punuar me idhujt e mi. E dija që një ‘ok, ke zë të mirë’ nuk do mjaftonte. Duhej të jepja gjithçka.”

Dhe ajo e dha. Kënga u regjistrua në tri xhirime të plota dhe Warren reagoi me entuziazëm të menjëhershëm. Ajo nuk do të ndalej me kaq: “Pas kësaj, i kam premtuar që do i shkruaj edhe një EP. Ajo është gati për tregun amerikan. Por duhet të jetë këtu, duhet të zhvendoset në Los Angeles dhe të jetë prezente fizikisht. Nuk mjafton më vetëm zëri, por dhe prezenca.”

Në një kohë kur shumë artistë përpiqen të depërtojnë në tregun amerikan përmes rrjeteve sociale apo bashkëpunimeve virale, Arilena vjen me një armë të pakrahasueshme, zërin e saj. Dhe jo çdokush ia njeh këtë vlerë, por vetë Diane Warren, një grua që ka vendosur standardet e muzikës pop ndër vite, dhe që rrallë e ndan lavdërimin me kaq zemër të hapur.

E ardhmja e Arilenës në SHBA duket premtuese. Mediat ndërkombëtare e përshkruajnë si një “mister të bukur ballkanik me një zë të përbotshëm”.