Deputeti socialist Damian Gjiknuri tha sot në Kuvend se janë mbi 130 mijë shqiptarë që janë regjistruar si zgjedhës për të votuar jashtë. Deputeti tha se kjo është një shifër impresionuese. Sipas tij, kjo shifër e votës nga jashtë në raport me numrin e popullsisë nuk është arritur thuajse në asnjë vend të Europës. Gjiknuri shtoi se shpenzimet e fushatës janë të larta prandaj do jepen më tepër fonde për fushatë. Ai tha se fondet duhet të jenë transparente.
“Janë mbi 130 mijë shtetas që janë regjistruar në listat zgjedhore si zgjedhës që do votojnë nga jashtë. Nëse vazhdon ky trend, është vlerë impresionuese, që nuk e kanë arritur as vendet e tjera të Europës. Një përgëzim meritojnë edhe forcat politike, që kanë nxitur qytetarët që të regjistrohen në diasporë. Me këtë projektligj, çdo kandidat për deputet do të ketë minutat e veta në dispozicion.
Ne e dimë që shpenzimet e fushatës janë të larta. Prandaj do jepen më tepër fonde për fushatë. Fondet të jenë transparente. Mua më duket absurde që të votojë dikush që nuk ka interes as të marrë dokument shqiptar. Ai nuk ka interes të marrë as dokument e jo më të votojë. Por, le ta gjejë një zgjidhje Komisioni Rregullator, që është mbi partitë politike”, tha Gjiknuri.