Gjykata e Shkallës së Parë, në Dibër, ka lënë në arrest shtëpie mësuesin Agim Muça, që dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike mbi 12 nxënësit e tij. Mësuesi nuk e ka pranuar akuzën dhe gjykata e argumenton vendimin e saj me faktin se nuk ka prova materiale kundër mësuesit.
Ngjarja në fjalë dyshohet se ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare, në Ostren të Bulqizës. Por, sipas mësuesit, këto akuza janë të pavërteta, duke u shprehur se ky është një kurth për ta larguar nga puna. “Gjithçka është thënë për mua është një trillim. Nxënësit nuk janë të shkollës ku jap mësim unë,” – tha mësuesi në gjykatë.





