Uniformat blu të Dibrës kanë ndërmarë mbrëmë një operacion të gjërë kërkimi dhe sot, në orët e para të mëngjesit, arritën të gjenin dy turistët e huaj që kishin humbur. Sipas burimeve zyrtare policore, mbrëmë, rreth orës 20:00, Komisariati i Policisë së Shtetit, në Peshkopi, është njoftuar për humbjen e dy turistëve të huaj, njëri nga Çekia dhe tjetri nga Franca. Forcat e Policisë së Shtetit nisën kërkimin e tyre, duke marrë në pyetje banorë të fshatit Radomirë, ku turistët kishin kaluar natën tek një banese në këtë fshat. Mëngjesin e djeshëm, dy turistët kanë dalë për shëtitje dhe në mbrëmje nuk janë kthyer më.

Shtetasi H. H., pronari i banesës, kishte konfirmuar se dy turisët kanë dal nga banesa rreth orës 06:00 e mëngjesit të datës, duke u nisur drejt Fushës së Korabit, dhe nuk janë kthyer më, duke humbur kështu çdo kontakt. Pas shumë orësh kërkimi, shërbimet e Policisë së Shtetit kanë bërë të mundur gjetjen e shtetasve te humbur në Malin e Korabit, të cilët kishin humbur rrugën. Turistët D. V., nga Franca, dhe M. P., nga Çekia, u shoqëruan në Spitalin e Peshkopisë për një kontroll mjekësor.