Familjet në Qarkun e Dibrës dhe të Elbasanit kishin konsumin më të ulët në vend, për rrjedhojë edhe shpenzimet më të ulëta nga buxhetet e tyre mujore vitin e kaluar, duke ruajtur të njëjtën renditje në raport me vitin 2018. Ndërkohë Qarku i Tiranës dhe i Korçës kishin shpenzimet më të larta. Kështu Korça zhvendosi Durrësin, i cili më 2018 renditej i dyti pas Tiranës për nivelin e lartë të jetesës, por tërmeti i 26 nëntorit 2019 e ka dmtuari rëndë ekonominë e qarkut.

Të dhënat i referohen Anketës së Buxhetit të familjeve që publikoi sot INSTAT. Në vitin 2019 Qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum. Një familje në kryqytet shpenzon për konsum mesatarisht 98.402 lekë në muaj.

Qarqet me shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas Qarkut të Tiranës, janë sic thamë Korça me 82.224 lekë dhe më pas Fieri me 79.620 lekë në muaj për familje. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë Qarku i Dibrës me 67.805 dhe ai i Elbasanit me 68.903 lekë në muaj për familje.

Edhe pse një nga qarqet që shpenzon më pak, Dibra ka shënuar rritjen më të madhe të shpenzimeve me 12,3%, ndjekur nga qarku i Fierit me 9,2%. Qarqet që kanë pësuar ulje të shpenzimeve për konsum janë: Durrësi me 1,6% dhe Vlora me 0,5%.

Për vitin 2019, numri mesatar i anëtarëve të familjes është 3,7. Qarku me numrin më të madh të anëtarëve në familje është Kukësi me 4,3 anëtarë, ndërsa Gjirokastra është qarku me numrin më të vogël të anëtarëve në përbërjen e familjes, me 3,2 anëtarë. Në familjet e përbëra nga një person i vetëm, grupi ushqim zë peshën më të madhe prej 44,8 %, krahasuar me tipet e tjera.

Pesha më e lartë për shpenzimet për transport është regjistruar në strukturën e buxhetit të familjeve të përbëra nga tri ose më shumë të rritur pa dhe me fëmijë, përkatësisht 6,5 dhe 6,4 %. Në familjet e përbëra nga tri ose më shumë të rritur me dhe pa fëmijë, në varësi, pesha që zënë shpenzimet për arsim është më e lartë krahasuar me tipet e tjera.

Anketa e Buxhetit të Familjes 2019 u krye nga INSTAT gjatë gjithë vitit, me një kampion prej 9.360 familjesh. Në përfundim të vrojtimit u intervistuan rreth 7.235 familje të shpërndara në mënyrë uniforme në të gjithë territorin e Shqipërisë.