(Mendime mbi vëllimet poetike të Gladiola Busullës)
Skënder Meta
Padova 2011
Elementi përbërës i çdo misticizmi është arritja e një bashkimi të përkryer dhe intim me hyjnoren, të quajtur ekstazë (fjalë për fjalë, të jesh jashtë vetes).
… Kur lulja çel, nuk ka kurrfarë mundësie që ajo të jetë pa aromë apo që aromën ta ruajë veç për vete. Ajo shkapërderdhet në të gjitha drejtimet. Në vargjet e Gladiola Busullës, pjesëmarrja në poezi e natyrës ngjyrohet me misticizëm, i cili është i ndërlidhur me antikitetin klasik dhe shpreh mendimin e pështjelluar kozmik të njeriut, kufirin e pafundësisë enigmatike të Universit. Figurta e përdorura në poezi janë vendosur sipas një kontinuiteti ritmik, të ndjekura nga një ecuri lineare, e valëzuar dhe e përfshirë në trashendencën e vellove; duke respektuar teorinë sipas së cilës, gjithçka regëtin dhe asgjë s’ndalon.
Fjalët kanë një dykuptimësi të fortë në përmbajtje dhe lejojnë interpretime të ndryshme, krahas ndikimeve të qarta nga mitologjia bashkekzistojnë kuptime që të çojnë drejt hermetizmit.
E kam lexuar librin “Inanna” të Gladiolës në Padova, pasi kisha vizituar kishën Cappella delli scrovegni– të pikturuar nga Giotto di Bondone (Xhoto). Teksa po shijoja kafenë në lokalin e mirënjohur padovez “Caffe Pedrocchi” ose e ashtuquajtura “Kafe pa porta”, ku deri në vitin 1916 gëlonte nga jeta kulturore e social-politike e qytetit. Ashtu rrufeshëm, ndërkohë që lexoja e shkruaja mbi librin më erdhi ndër mend një shprehje që më ka pëlqyer gjithmonë
“ Kur forma nuk është shprehje e jashtme e një përmbajtjeje të brendshme, nuk i shërben shpirtit të lirë”.
Sërish në Padova. Kur orkestra mbaroi, një muzikë të mrekullueshme ndjeva brenda vetes . U ndjeva para së gjithash shumë i gëzuar: kjo fjalë, gëzim është fjala më e pamatshme, mbasi lexova librin e Gladiolës.
Thuhet që misioni i poetit është të përvëlojë zemrat e njerëzve !
Por ndodh diçka tjetër tek poetja e re Gladiola Busulla – me librin e saj të parë – ajo nuk do t’i përvëlojë zemrat e njerëzve, por t’u japë hove të zjarrta shpirtërore.
Poezitë për dashurinë janë një ndjenjë e thellë dhe e komplikuar tek libri i Gladiolës.
Poezia e vërtetë e Gladiolës nuk është ajo që në pamje të parë duket. Ajo ka edhe pamje vertikale që shkon në thellësi të tokës dhe njohja e kësaj mund të të bëjë shumë të gëzuar .
Në kaosin modern të artit të sotëm, thirrja agonike për mirësi bën tek Gladiola që nëpërmjet poezisë së saj ( që unë do t’i quaja këngë të dashurisë ) mundohet të japë vibracione tek lexuesi.
Duke lexuar librin e Gladiolës”Dëshirë përsosmërie” – do t’i thoja që – dashuria është luks, ajo është bollëk, ajo është si të kesh aq shumë jetë, sa të mos dish se çfarë të bësh me të .
Ajo është si të kesh shumë këngë në zemrën tënd, sa që domosdo duhet t’i këndosh. Dëgjoi kush apo jo?!
Edhe nëse nuk i dëgjon askush, njësoj ke për të kënduar. Po citoj diçka:
“ Jeta është ndodhi e vërtetë ; truall ku lulja e dashurisë lulëzon”.
Dhe në fund duke e mbyllur i sugjeroj Gladiolës: “Pije verën e jetës. Ajo ka plot poezi dhe dashuri. Ti mund ta ftosh pranverën kurdoqoftë, vetëm ftoje, dhe lejo diellin, erën, shiun të depërtojnë në ty”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





