Shumicën e tyre i sheh përditë në hapësirat publike të qytetit të Durrësit. Në këto ditë të ftohta të fundit të nëntorit, gjatë paradites, dielli ka qenë “shpëtimtar” për ta.

Ndërsa në orët e pasdites dhe mbrëmjes, batanijet apo jorganët janë zgjidhja për të përballuar të ftohtin.

Shpesh “guxojnë” të ndezin edhe ngrohëset me korent, por me intervale të shkurtra, sepse u duhet të kursejnë. Nëse u vjen e lartë fatura e energjisë, nuk arrijnë ta përballojnë.

Të mësuar për shumë vite të kursejnë e sakrifikojnë, ky “fat” nuk iu nda as tani. Në prononcimet e tyre për mikrofonin e “DurrësLajm” nuk mungojnë as ironitë, pasi kanë mësuar duke e vuajtur në kurrizin e tyre, se duhet të vuajnë më shumë në vitet e mbetura të jetës.