Për të pestin vit radhazi, dieta mesdhetare është shpallur më e mira në garën vjetore për dietën më të mirë, sipas vlerësimeve nga US News dhe World report. Në vend të dytë është dieta DASH, e cila synon të parandalojë hipertensionin dhe reduktimin e kripës. Në vend të tretë është dieta fleksitare, e cila është vegjetariane në të shumtën e rasteve, megjithatë të lejon që here pas here të shuash nepsin e të hash një hamburger.

Të trija këto dieta reduktojnë dhe eliminojnë ushqimet e përpunuara duke pasur në thelb frutat, perimet, fasulet, thjerrëzat, drithërat, arrat dhe farat.

“Të gjitha dietat janë të sigurta dhe të mbështetura nga shkenca. Dietat gjithashtu ofrojnë të gjitha kaloritë e domosdoshme përmes perimeve, frutave dhe drithërave; gjithashtu ato përmbajnë një sasi të vogël proteinash pa yndyrë dhe bulmet”, tha Gretel Schueller, nga US News & World Report.

Në përgjithësi dietat kanë në fokus atë që mund të hani, jo atë që nuk duhet të hani.

“Ne duam ushqim që jo vetëm ta shijojmë, por edhe të ruajmë shëndetin tonë dhe të forcojmë imunitetin. Tri dietat e renditura si më të mirat, e ofrojnë këtë”, tha Schueller.

Dieta mesdhetare

Kjo lloj diete është më e lehtë për t’u zbatuar. Studime të shumta kanë zbuluar se dieta mesdhetare mund të zvogëlojë rrezikun e diabetit, kolesterolit të lartë, demencës, humbjes së kujtesës, depresionit dhe kancerit të gjirit. Dieta, është më shumë një stil i të ushqyerit sesa një dietë e kufizuar.

Dieta përmban gatime të thjeshta me bazë bimore, ku çdo vakt ka në bazë frutat dhe perimet, drithëra, fasule dhe fara, me pak arra dhe me një fokus të veçantë te vaji i ullirit ekstra i virgjër. Yndyrat e tjera përveç vajit të ullirit, si gjalpi, konsumohen rrallë ndërsa sheqeri dhe ushqimet e përpunuara mund të konsumohen vetëm në raste të veçanta. Mishi i kuq përdoret me masë, zakonisht vetëm për të shijuar një pjatë. Ngrënia e peshkut të shëndetshëm të mbushur me vaj omega 3 është i këshillueshëm, ndërsa vezët, qumështi dhe mishi i shpendëve duhet të hahen në porcione shumë më të vogla sesa në dietën tradicionale perëndimore.

Ndërveprimet sociale gjatë vakteve dhe stërvitjes janë pika kyçe e stilit mesdhetar të të ngrënit. Ndryshimet e stilit të jetesës që janë pjesë e dietës përfshijnë të ngrënit me miqtë dhe familjen, shoqërimin gjatë vakteve, ngrënien e ushqimeve të preferuara me vëmendje, si dhe lëvizjet dhe ushtrimet e kujdesshme.

Dieta më e mirë për shëndetin e zemrës

Dieta Ornish e cila u krijua në vitin 1997 nga Dr. Dean Ornish, është e vështirë për t’u ndjekur, por është cilësuar si dieta më e mirë për shëndetin e zemrës. Shumica e ushqimeve që përmbajnë kolesterol ose karbohidrate të rafinuara, vajra, kafeinë dhe thuajse të gjitha produktet shtazore përveç të bardhëve të vezëve dhe një filxhan në ditë qumësht pa yndyrë ose kos, janë të ndaluara. Ndërsa ekspertët pajtohen se dieta mund të jetë tepër kufizuese dhe e vështirë për t’u ndjekur, sipas Ornish është i vetmi program i provuar shkencërisht për të luftuar sëmundjet e zemrës pa ilaçe ose kirurgji. Dieta është e kombinuar me teknikat e menaxhimit të stresit, stërvitjen, dhe ndërprerjen e duhanit.

Dieta më e mirë për diabetin

Në kategorinë e dietës më të mirë për diabetin, dieta mesdhetare mori çmimin kryesor. Në vendin e dytë u renditën dietat fleksitare dhe vegane.

Dieta fleksitare është një kombinim i dy fjalëve: fleksibël dhe vegjetariane. Me këtë dietë, nuk keni pse të hiqni dorë plotësisht nga mishi. Një dietë kryesisht me bazë bimore duke ndikuar në jetëgjatësi, thuhet në raport, duke ulur rrezikun e prekjes nga sëmundjet e zemrës, diabetit dhe kancerit. Dieta vegane përjashton të gjitha produktet shtazore, madje edhe bulmetin dhe vezët.

Dieta më e mirë e përgjithshme për humbje peshe

Dieta fleksitare kërkon që ju të shtoni ushqime në dietën tuaj, të tilla si proteina si fasulet, bizelet ose vezët, si dhe frutat dhe perimet, drithërat, produktet e qumështit dhe erëzat. Raporti thotë se duhet të marrim disa kalori sipas vakteve: “Mëngjesi rreth 300 kalori, dreka 400 dhe darka 500. Produktet mes vaktet janë rreth 300 kalori, në total janë 1500 kalori”.

“Nëse hani shumë fruta, perime dhe drithëra ka të ngjarë të ndiheni të ngopur me më pak kalori sesa jeni mësuar”, sipas analizës së dietës fleksitare.

Fillimi i dietës mesdhetare

A është dieta mesdhetare një nga synimet tuaja këtë vit? Filloni duke gatuar një vakt çdo javë me bazë fasule, drithëra dhe perime, duke përdorur barishte dhe erëza. Pas një kohe, nisni të gatuani dy vakte në javë me këto produkte, duke eliminuar sa më shumë mishin.

Drithërat që kanë ndryshuar pak gjatë viteve, të njohura si “drithërat e lashta”, janë gjithashtu një tipar kryesor i dietës mesdhetare. Quinoa, amaranti, meli, fara, spelt, janë disa shembuj.

Kur hani mish, konsumoni sasi të vogla. Për një pjatë kryesore, kjo do të thotë mish pule ose mish pa dhjamë. Kulturat mesdhetare zakonisht e mbyllin ditën me fruta që janë të sezonit dhe jo ëmbëlsira.

Nëse jeni lodhur duke ngrënë fruta të freskëta të papërpunuara, bëhuni krijues. Ziejini dardhat në lëng shege me pak mjaltë. Grini ananasin ose fruta të tjera dhe spërkatni me mjaltë.