Ndryshe nga sa jemi mësuar që retë e zeza të tymit t’i shohim teksa vijnë nga zona e Porti Romanos, sot paradite ato mbuluan një pjesë të zonës së Plazhit dhe Shkozetit. Në periferi të lagjes 14, shumë pranë rrugës "Mikpritja durrsake", goma të përdorura automjetesh digjeshin në mëshirë të fatit, duke përhapur panik jo vetëm tek banorët e zonës, por edhe më gjërë.
Persona të paidentifikuar i kanë vënë flakën, për arsye që ende nuk dihen, disa gomave të hedhura aty prej kohësh përgjatë kanalit të ujërave të larta. Megjithatë, banorët e zonës tregojnë se këto veprime bëhen në mënyrë të përsëritur për të përfituar sadopak hekur e për ta shitur më pas për skrap.
Pavarësisht arsyeve, djegia e gomave ka mbuluar me tym të zi, gazra helmues dhe erë të rëndë thujse gjithë Shkozetin. Në vend kanë mbërritur edhe mjetet dhe efektivat e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të cilët kanë ndërhyrë për të shuar flakët. Ndërhyrja e zjarrfikësve ka qenë e nevojshme edhe me qëllim parandalimin e përhapjes së flakëve.
Shumë pranë vendit ku digjeshin gomat gjendeshin edhe një sërë shtyllash druri të rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike. Nga ana tjetër, flakët e zjarrit kanë përfshirë edhe ambientin përreth, duke rrezikuar kështu shtëpitë e banimit të cilat gjenden shumë pranë kanalit të ujërave të larta që përshkon lagjen 14.
K.H.





