Një zjarr i madh ka rënë në një anije mallrash që transportonte rreth 3,000 automjete në brigjet holandeze dhe si pasojë një person ka ndërruar jetë, ndërsa janë plagosur disa të tjerë. Rojet bregdetare paralajmërojnë se zjarri mund të zgjasë për disa ditë.
Disa anëtarë të ekuipazhit u detyruan të hidheshin në det.
Pronari i anijes tha se një makinë elektrike dyshohej si një shkak i mundshëm për zjarrin.
Në një deklaratë, Shoei Kisen Kaisha Ltd tha: “Tani po përpiqemi të shuajmë zjarrin në bashkëpunim me autoritetet lokale të Holandës”.
Anijet e shpëtimit po spërkatnin ujë mbi anijen që digjej për ta ftohur atë, por përdorimi i tepërt i ujit rrezikoi fundosjen e saj, tha roja bregdetare holandeze. Një anije shpëtimi u fiksua për të ndaluar rrëshqitjen e anijes.
“Zjarri mund të vijojë ende për ditë të tëra”, i tha AFP një zyrtar i rojes bregdetare, i cili foli në kushte anonimiteti. “Anija po ftohet për ta mbajtur të qëndrueshme. Vetëm ana e anijes po spërkatet, jo kuverta.”
Willard Molenaar, nga Royal Dutch Rescue Company (KNRM), i cili ishte ndër të parët në vendngjarje, tha se zjarri ishte përhapur aq shpejt sa shtatë anëtarë të ekuipazhit ishin hedhur në det.
Molenaar tha për NOS se disa njerëz u plagosën duke u hedhur në ujë, ndërsa një anëtar i ekuipazhit kishte vdekur në flakë. “Kishte shumë tym dhe zjarri u përhap shpejt, shumë më shpejt se sa pritej,” tha ai.
Një helikopter largoi njerëzit e mbetur nga ekuipazhi prej 23 personash nga anija që digjej. Ekuipazhi i plagosur po trajtohet për probleme me frymëmarrjen, djegie dhe kocka të thyera, thanë autoritetet lokale holandeze.