Kampi më i madh i emigrantëve në Greqi, ai i Morias në ishullin Lesbos, është shkrumbuar nga një zjarr. Rreth 25 zjarrfikës luftuan me flakët, ndërkohë që emigrantët u evakuuan. Disa persona mbetën të lënduar për shkak të tymit të madh.
BBC shkruan se dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar pas një proteste të emigrantëve kundër rregullave të koronavirusit. Megjithatë kjo gjë nuk është konfirmuar ende nga autoritetet.
Policia ndërkohë bllokoi emigrantët, të cilët iu drejtuan portit të qytetit Mitilini, duke i lënë në rrugë. Moria ishte shtëpia e rreth 13 mijë njerëzve, 4 herë më shumë se numri që mund të mbajë zyrtarisht.
Sipas raportimeve, 70% e emigrantëve në kamp janë nga Afganistani. Guvernatori i Lesbos, Aris Hatzikomninos, tha gjatë një komunikimi për mediat se kampi është shkatërruar plotësisht. Kryeministri grek ka thirrur një takim emergjent këtë të mërkurë.
Kampi ishte vënë në karantinë javën e kaluar, pasi një emigrant rezultoi pozitiv me koronavirus. Deri më tani atje ishin konfirmuar 35 raste.
Agjencia greke e lajmeve ANA ka raportuar se kanë qenë rreth 35 emigrantë që kanë refuzuar izolimin me familjen dhe ky ka qenë shkaku që kanë nisur flakët. Ndërkohë zjarri ka shpërthyer edhe në zona të tjera të ishullit grek për shkak të erërave të forta.
Kampi i refugjatëve Moria shtrihet në verilindje të kryeqytetit të Lesbos. Fillimisht ai u ndërtua për 2 mijë njerëz, por deri atëherë është mbushur plot dhe ka kaluar kapacitetet. Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar shpesh autoritetet greke për kushtet e rënda në kamp.