Një banesë dykatëshe është shkrumbuar krejtësisht nga flakët mbrëmjen e së shtunës në zonën e Don Boskos. Banesa është në pronësi të një efektivi të RENEAS i cili nuk ka qenë në shtëpi mbrëmjen e djeshme pasi ndodhej në Shkodër në kërkim të autorit të vrasjes së dy vëllezërve.

Burime për Shqiptarja.com nga familja e tij bëjnë me dije se ende nuk e dinë nëse zjarri është vënë qëllimisht për shkak të detyrës së kryefamiljarit por shtojnë se në banesë nuk ka pasur asnjë bombul gazi apo shkëndijë elektrike që të shkaktojë gjithë zjarrin.

"Shtëpia është shkrumbuar totalisht, nusja ime ka mbetur në rrugë jemi traumatizuar, ka qënë vetëm me foshnjën në banesë dhe janë tmerruar s'dimë gjë se si ndodhi"-thotë e ëma e efektivit të RENEAS. Nga ky zjarr fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz por dëmet janë masive pavarësisht faktit se zjarrfikëset kanë mbërritur në vendngjarje. Mësohet gjithashtu se për shkak të këtij zjarri ka mbetur pa energji edhe zona përreth banesës.