Investigim nga Gjergj Thanasi*

·       Vetëm nga importet, eksportet dhe tranzitimet nëpër Mal të Zi dhe Serbi shteti shqiptar ka pësuar vitin e kaluar një humbje totale prej 779 516 eurosh

 TIRANË, 26 tetor 2013 – Vazhdimisht vitet e fundit mediat kanë bërë publiket lidhjet e forta Shqipëri-Serbi përsa i përket importit, eksportit dhe tranzitimit të armatimeve dhe lëndëve shpërthyese. Viti 2012 nuk mund të bënte përjashtim nga ky “rregull”. Gjatë këtij viti, megjithë zhurmën në shtyp, dikasteri Imami ka vazhduar me intesitet marrëdhëniet me serbo-sllavët. Autori i është referuar një dokumenti publik të hartuar nga Ministria e Ekonomisë e Malit të Zi “Raporti vjetor mbi tregtinë e jashtme i mallrave të kontrolluara për vitin 2012” (shih kopertinën dhe dy nga disa nga tabelat, që kanë të bëjnë me import-eksportet e armëve nga dhe në Malin e Zi për të tretë – “Dyrrah”-u)

KONGO

Më poshtë do të analizojmë rast pas rasti këto raporte simbioze shqiptaro-serbe në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, kryesisht gjatë vitit 2012, por jo vetëm. Shqipëria në vitin 2012 ka eksportuar kundrejt EUC (çertifikatës së përdoruesit fundor) për në Republikën Demokratike të Kongos 60 armë me kalibër mbi 20 mm, me vlerë 16 700 euro. Në fakt armët janë eksportuar më parë në Serbi, duke kaluar tranzit në Mal të Zi. Të njëjtat armë shqiptare biznesmenët serbë të armëve ua kanë shitur kongolezëve për 59 159 euro. Theksojmë se në dokumentin kongolez EUC theksohet qartë që shitësi është Shqipëria dhe blerësi është Ministria Kongoleze e Mbrojtjes, Çarmatimit dhe Veteranëve të Luftës. Në këtë rast, serbët janë thjesht sekserë. Diferenca e çmimit është 42 439 euro, pra trefishi i çmimit të eksportit nga Shqipëria. Për t’u eksportuar në Kongo dmth. në Afrikë, në jug të Shqipërisë, armët shqiptare duhet më së pari të ngjiten në veri deri në Serbi, tranzit nëpër Mal të Zi e më pas të zbresin përsëri në jug. I kujtojmë ministres Kodheli se vartësit e paraardhësit të saj, Imami, i kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 42 439 euros arkës së shtetit ose sepse janë budallenj (ua kanë hedhur serbo-malazezët) ose se janë maskarenj, se kanë ndarë eurot me sivëllezërit e tyre sllavë. Budallenjtë pushohen nga puna, ndërsa maskarenjtë dërgohen në prokurori.

UKRAINË

Kundrejt EUC-së përkatëse, nga Shqipëria janë eksportuar në Ukrainë 200 copë armë me vlerë 70 000 Euro. Mallrat nuk janë dërguar drejtpërdrejt në Ukrainë, por janë tranzituar nëpërmjet Mali të Zi për llogari të një firme të inkorporuar në Qipron greke, me pronar një serb të çertifikuar ndërkombëtarisht (lista e OKB-së dhe lista e Departamentit Amerikan të Shtetit) si trafikant armësh. Vëmë në dukje se biznesmeni serb ia ka shitur këto armë Ukrainës për 247 000 euro. Në dokumentin EUC shkruhet qartë: Shqipëria është vendi eksportues ndërsa Ukraina vendi importues. Diferenca është 177 000 Euro, rreth 2,5 herë më e lartë se çmimi i palës shqiptare. Nga budallëku ose nga maskarallëku, vartësit e Imamit, me ndihmën e sivëllezërve të tyre serbë dhe malazezë, i kanë shkatuar shtetit shqiptar një dëm ekonomik prej 177 000 eurosh. Skema e hajdutërisë është e njëjtë: për të eksportuar armë në Ukrainë, d.m.th. në lindje, duhet të ngjitesh në veri – Mal të Zi dhe pastaj të zbresë në juglindje – Qiproja greke.

MALI (AFRIKË)

Kundrejt EUC-së përkatëse nga Shqipëria janë eksportuar në Mali (Afrikë) 3 milionë fishekë me vlerë 71 829 euro. Ky eksport është kryer duke i tranzituar fishekët nëpër Mal të Zi. I kujtojmë lexuesit që Mali gjendet në Afrikë, në jug të Shqipërisë, ndërsa Mali i Zi gjendet në veri të Shqipërisë. Kësaj i thonë, që tiranasi, që niset për të shkuar në Sarandë i bie rruga më shkurt po të kalojë nga Shkodra. Në këtë eksport municionesh ndërmjetëse është një firmë e regjistruar në Kosta Rika me pronarë një gjeneral pensionist të IDF-së (inicialet anglisht për “Israel Defense Forces”) dhe një serb të famshëm për të keq në fushën e tregtisë së armëve. Sekserët i kanë eksportuar nga Mali i Zi fishekët shqiptarë me çmimin 76 618 euro. Diferenca në këtë rast është normale për sekserin serbo-malazezo-ebre,vetëm 4601 euro.

MALI I ZI

Po gjatë vitit 2012, Shqipëria ka eksportuar në Mal të Zi kundrejt EUC-së përkatëse 1 000 tonë lëndë shpërthyese me vlerë 286 280 euro. Lënda shpërthyese e eksportuar ka prejardhje kryesisht nga procesi i demontimit të municioneve të ndryshme. Më pas Mali i Zi po këtë njëmijë-tonësh ia shet Serbisë (duke e shkruar qartë në dokumente se vendi i origjinës – vendi dërgues është Shqipëria) me vlerë  670 000 euro. Diferenca e çmimit është 363 720 euro. Si më sipër, budallenjtë ose maskarenjtë e Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes i kanë dhuruar ose kanë ndarë me sekserët serbë e malazezë këtë sasi eurosh. Shkurt puna edhe kësaj radhe buxhetit të Ministrisë sonë të Mbrojtjes i është bërë  një dëm i konsiderueshëm. Po në vitin 2012, Shqipëria ka importuar nga Serbia 100 tonë lëndë shpërthyese me vlerë 119 000 Euro, kundrejt lëshimit të EUC-së përkatëse nga AKSHE-ja (Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve). Ndonëse Ministria jonë e Mbrojtjes, për më se një dekadë, shet, blen dhe tranziton armë me Serbinë, përsëri, për të blerë armë në Serbi, është zgjedhur një firmë seksere shtetërore malazeze, e famshmja MDI Montenegro Defence Industries. Po kjo firmë është zgjedhur si firmë seksere për të importuar nga India 200 000 kapsolla detonatore dhe 50 000 ml fitil zjarrpërcjellës me vlerë 79 250 euro. E njëjta firmë ka luajtur rolin e sekserit edhe kur Shqipëria, kundrejt EUC-së përkatëse, ka importuar zyrtarisht nga Serbia 6 505 copë djegore me vlerë 470 312 euro.

SHBA

Në vitin 2012, kundrejt EUC-së përkatëse, Shqipëria ka eksportuar në SHBA 14 581 copë municione të kalibrit nën 20 mm me vlerë 438 008 euro. Ndonëse Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, ndonëse shqiptarët janë kombi më proamerikan në Europë, ndonëse ka një zyrë me ekspertë amerikanë në dikasterin ish-Imami, përsëri ne e kemi realizuar këtë eksport me ndihmën e sekserëve serbo-malazezë. I kujtojmë lexuesit që as Serbia, as Mali i Zi nuk janë anëtarë të NATO-s dhe popujt e tyre janë ndër më antiamerikanët në Europë. Për “nderin”, që na kanë bërë sivëllezërit serbo-malazëzë, ata i kanë rieksportuar municionet shqiptare në SHBA me vlerën 609 756 Euro. Diferenca prej 171 756 Euro është dëmi, që i kanë bërë arkës së shtetit shqiptar vartësit e zotit Imami. Dëm ky i shkaktuar nga budallëku apo nga maskarallëku i tyre në vartësi të faktit se i kanë ndarë apo jo këto euro me sekserët serbo-malazezë.

HUMBJA: 779 516 EURO

Vetëm në këto raste importesh, eksportesh dhe tranzitimesh nëpër Mal të Zi dhe Serbi, si rrjedhojë e veprimtarisë së vartësve të z. Imami, shteti shqiptar ka pësuar një humbje totale prej 779 516 eurosh. Ministrja e mbrojtjes Kodheli ankohet se nuk ka para për të blerë karburante për nevojat e makinave të ushtrisë. Ushtarakët ankohen se u bënë vite, që ish-Ministri Imami nuk u ka paguar ushqimet, që u takojnë me ligj, ndërsa po ky dikaster u “dhuron” më shumë se tre çerek milion euro “vëllezërve” të veriut apo jep miliona euro të tjera për të bërë propagandë ala bolshevike në Sandër-mediet për sukseset e mahnitshme të ushtrisë shqiptare, që e lenë pa karburant për automjetet dhe pa lekë ushqimi për ushtarakët e nje vendi, tashmë anëtar në NATO!

PROSTITUTA IMAMI

Media e kreu detyrën e vet. Tashmë është radha e Ministres Kodheli të bëjë detyrën e saj duke i hetuar të tëra raste e mësipërme të provuara përtej çdo dyshimi të arsyeshëm nga dokumente zyrtare malazeze të përpiluara nga Ministria Malazeze e Ekonomisë. Më pas organet e prokurorisë dhe gjykatës do të merren me personat përgjegjës për këto dëme monetare. Përsa i përket problemit moral të bërjes biznes me armatime me armiqtë tanë tradcionalë serbo-sllavë, pak rëndësi ka. Ministrat tanë të Mbrojtjes janë si puna e asaj prostitutës, që pas viteve punë te semafori, i ka plasur cipa e nuk turpërohet nga deklarimi haptas i “dashurisë” për Serbinë në veçanti dhe sllavët në përgjithësi. Tashmë atdhetarët shqiptarë janë mësuar deri në rutinë me episode të tilla të tipit Serbia mon amour!

PAJISJA PËRGJUESE

Ky idil serbo-shqiptar vazhdoi edhe gjatë vitit elektoral 2013. Në këtë periudhë ky bashkëpunim mori forma edhe më të shëmtuara. Famëkeqja pajisja përgjuese e importuar nga SHIU për nevojat operacionale të forcave tona pjesëmarrëse në operacionet paqeruajtëse jashtë  Shqipërisë, u përdor për përgjime masive brenda Shqipërisë. Krahas përgjimit të “armiqve” si ambasadori Arvizu apo deputetë të bezdisshëm opozitarë si Braçe, Gjoni, Balla, apo Bizhga, pajisja u përdor edhe për përgjimin e subjekteve, pa kurrfarë lidhjeje me objektin e SHIU-t. Interesant është përgjimi i jetës private të vëllait të njerit prej policëve viktima të Dritan Dajtit. Përgjimi i tij u bë me qëllim mbledhjen e materialeve kompromentuese për një deputete, atëherë opozitare, të Kuvendit të Shqipërisë. Besoj edhe aftësia e shquar aktoriale e ish-Ministrit Imami zor se mund të gjejë lidhje midis këtij përgjimi dhe nevojave operacionale të ushtarakëve tanë në Afganistan, Bosnjë apo Gjeorgji.

Si objekt përgjimi përmendim gjithashtu edhe  fytyrën publike të muxhahedinëve iranianë z. Shahin Gobard me mob. tel.0033637435133, në dhjetëditëshin e parë të qershorit të këtij viti, kur ai vizitoi in cognito Shqipërinë. Mund të mirëkuptohet interesimi i z. Fahima dhe Forcës Quds për veprimtarinë e z. Gobard në Shqipëri, sidomos kontaktet e tij me gazetarë të medieve prestigjoze ndërkombëtare, që ushtrojnë veprimtarinë në Tiranë, po pse të tilla përgjime duhej me patjetër t’u kaloheshin edhe “vëllezërve” tanë serbë?! Njëlloj si në kohën e Koçi Xoxes, kur rruga shqiptare për në Moskë apo Sofje kalonte nga Beogradi edhe sot eksport-importet shqiptare në katër kontinente, në SHBA, Indi, Mali, Kongo etj. etj. kalojnë nga Beogradi. Në pranverën e 2013-ës, Nebojsha Maleviçi në Ministrinë Imami ishte bërë si koloneli i OZNA-s Safet Filipoviçi në vitin 1947, që ishte i gjithëpushtetshëm në dikasterin e Koçi Xoxes.

KOSOVË

Në muajt e nxehtë verorë të tranzicionit politik, pajisja përgjuese u zhduk pa lënë gjurmë nga magazina e SHIU-t. Ka shumë hamendje për “final destination” të pajisjes. Ca thonë se është strehuar e punon me kapacitet të plotë në një ndërtesë, buzë Lanës, pranë ish Institutit nr. 6. Të tjerë thonë, që pajisja ka emigruar në Kosovë. Vërtet Shqipëria nuk ka asnjë këmbë ushtari në Kosovë dhe pajisja nuk shërben për qëllimin, që u ble, por në kuadrin e idlit serbo-shqiptar alla imamçe ajo ndoshta punon me mjaft eficencë në drejtim të ushtarakëve sllovenë, austriakë e italianë të dislokuar në Rrafshin e Dukagjinit. Normalisht përgjimet njëlloj si edhe armatimet shqiptare për të shkuar në destinacion duhet të kalonin nga Beogradi.

* Shënim: Shkrimi është dërguar nga autori si ekskluzivitet i së përditshmes në print “Dita” dhe “Dyrrah”-ut në versionin on-line “durreslajm.com”.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/