Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kritikuar ashpër homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, të cilin e ka quajtur një diktator, në mes të bisedimeve të paqes me Rusinë.

“Mendojeni, një komedian modest i suksesshëm, Volodymyr Zelensky, i kërkoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të shpenzonin 350 miliardë dollarë, për të hyrë në një luftë që nuk mund të fitohej, që nuk duhej të fillonte kurrë, por një luftë që ai, pa SHBA-në dhe “TRUMP-in”, nuk do të mund ta zgjidhte kurrë”, shkroi Trump në Truth Social.

Ai tregoi se si SHBA shpenzoi mbi 200 miliardë dollarë më shumë se Evropa për të ndihmuar Ukrainën kundër Rusisë dhe ‘nuk mori asgjë mbrapsht’.

“Përveç kësaj, Zelensky pranon se gjysma e parave që i dërguam atij “Mungon”. Ai refuzon të ketë zgjedhje, është shumë i ulët në sondazhet në Ukrainë dhe e vetmja gjë në të cilën ishte i zoti ishte “të luante” me Biden”.

Ai vazhdoi të paralajmëronte se “diktatori pa zgjedhje “Zelensky” më mirë të ecë shpejt ose nuk do t’i mbetet më komb”.