Nga Shpëtim Kodra
Një emër i shquar i letrave shqipe. Në shkrimet publicistike ka trajtuar tema të larmishme sociale, politike, kulturore, kombëtare, aktuale, me përgjegjshmëri të lartë qytetare. Shënime udhëtimesh. Gjykime për letërsinë, pikturën. Homazhe për njerëz të letrave, për filozofë e veprimtarë të kulturës, si E.Sabato, Camus, Flaubert, Marquez, Borhes, Heidegger, Nagel, Monet… Sprova letrare, ese. Si një “lexuese e përvëluar, e thekur”, që në moshë fare të re u lidh me “leximet e ndaluara”, me “shkrimet e fshehura”, si dhe me “librat e verdhë”,por më të çmuarit. M.Meksi shprehet:”Jetoja vetëm për të lexuar. Qemë 10 -13 vjeçarë, që iu përkushtuam aq shumë fesë së leximit. Asokohe kuptuam se realiteti, ku jetonim, qe i zymtë, në krahasim me realitetin e librave. Leximin e librave të ndaluar e kisha identifikuar me lirinë, kohë më vonë”.
Kish mësuar të shihte e të gjykonte përtej dogmave të kohës, duke kërkuar të vërtetën. Gjuha e huaj i shërbente si mjet për të depërtuar në Universin e kulturës, që nga viti 1980, kur studionte filologji frënge. Nisi të shkruajë vargje në frengjisht, me pseudonimin “Jade magique”. Libërthi “Mbi leximin” i Proust-it kish efekte kurative në kohërat e liga të patologjisë së diktaturës, kur mendja qe mpirë e stepur ligsht nga terrori, dhuna dhe propaganda hipokrite. Dekart:”Leximi i librave është si një bisedë me njerëzit e ndershëm të shekujve të kaluar. Një shkrim titullohet:”Biblioteka si tempull i shpirtit”. Për M.Meksin e vërteta historike është tregues i demokracisë dhe kujtesa instrument për forcimin e saj. Piramida mund të kthehej në Muzeun e Kujtesës sonë historike, për kohën e diktaturës, në qendër investigimi historik e shkencor.
Lidhur me përkthimet mjeshtërore të Mira Meksit, të dëgjojmë si shprehet ajo vetë:”Shqipja është gjuha që më ka lejuar të ndjek besnikërisht prozën labirintike, magjepse e magjike të Marquez –it, shkollën e mirëfilltë të mjeshtërisë së vështirë të shkrimësisë. Kisha arritur maturinë e zejes sime si përkthyese letrare, pasi njihja si askush veprën e plotë të Marquez –it. “Vjeshta e patriarkut” –një poemë madhështore në prozë, një simfoni me harmoni të rrallë të elementeve dhe me një përsosmëri stilistike”. Përkthimi artistik përbën një operacion kompleks gjuhësor, estetik e kulturor. M.Meksi është një njohëse e shkëlqyer edhe e gjuhës shqipe. Këtë e dëshmon fakti që në shkrimet e saj hasim një gjuhë të të rrjedhshme, të pasur e të pastër shqipe, ku ajo kontribuon edhe në fushën e fjalëformimit, me krijime të reja interesante.
Përkthyesi, njëlloj si aktori apo instrumentisti, vendoset midis autorit (krijues origjinal) dhe lexuesit (dëgjuesit, spektatorit). Në përkthim kërkohet një ekuilibër mes lirisë që ka dhe përgjegjësisë që ndien përkthyesi, për të përcjellë vlerat dhe mesazhet e veprës. Lidhur me përkthimin e poezive të I.Kadaresë në frengjisht në vitet 1986 -1987, M.Meksi është shprehur:”Poezia e Kadaresë kishte gjithçka: mendim, ide, kumte, mister, simbole, emocion, ritëm fjalësh e ritëm imazhor, muzikë –një klimë e tërë estetike, e cila duhej transplantuar në një tjetër klimë estetike”. Ndër poezitë ishte dhe “Sapuni “Ledi Makbeth”, me nëntitullin: antireklamë. Kjo poezi kish një mesazh të tmerrshëm, rrënqethës: sapunin gjakshlyes njerëzimi nuk kishte për ta shpikur asnjëherë; krimet nuk shlyhen kurrë. Aludimi i qartë: N.H ish më e rrezikshme se kurrë”.
Realizmi magjik latino –amerikan dhe G.G.Marquez –it në veçanti, mendoj se kanë ndikuar pozitivisht dhe në artin origjinal e mjaft tërheqës të M.Meksit, si në ndërthurjen e realitetit me fantazinë, ashtu dhe në zgjedhjen e prototipave për romanet e saj të suksesshëm. M.Meksi shprehet:”Më ka pëlqyer të futem në psikologjinë e njerëzve të fuqishëm”. Është e vetmja zonjë shkrimtare në 30 vjet që ka fituar çmimin e parë në një konkurs letrar kombëtar. “Diktatori në kryq” u cilësua romani më i mirë i vitit 2019 “Për krijimin e vlerave dhe risive origjinale në prozën romanore shqipe, ku ndërthuren mjeshtërisht motivet e një historie besimi, në trajektoren e një epoke politike”. Niset nga një kronikë, ku thuhet se kryqi i shenjtë i kishës 1500 –vjeçare të Labovës është marrë nga vajza e E.Hoxhës. Kryqi relikmbajtës ka të ndërkallur në trup ashklën nga kryqi, ku është kryqëzuar Krishti. Në roman jepet përshkrimi i jetës së fshehtë, portretizimi i çmitizuar i prototipit të diktatorit të kuq të Luftës së Ftohtë, përmes një rrëfimi magjik, të përshkuar nga dramaticiteti e trilleri, ironia e satira e thellë. Diktatori përjeton fundin e jetës së tij, vetminë e tmerrshme të pushtetit absolut. Frika e përballjes me gjykimin e përtejmë. Përsiatjet, monologët, dialogët me vetveten. I dobët, i braktisur, i vetmuar përjeton ëndrra aluçinante.
Si prolog: “Atë natë iu fanit një ëndërr e pazakontë. Në breg të detit, Ai qëndronte në këmbë, me një tunikë të bardhë prej liri, tejet të gjatë dhe me një kapelë partizani me yllin pesëcepësh mbi ballë…Ai shtriu krahun mbi det dhe i Përjetshmi e sprapsi detin për tërë natën, i hapi ujërat, e thau detin mespërmes. Bijt e shqipes hynë në mes të detit, në shtratin e krijuar, pas burrit të gjatë. Me një stap në dorë Ai eci përgjatë ëndrrës së asaj nate, në pafundësinë e kohërave. Në një çast të rrugëtimit të gjatë e të mundimshëm, ktheu kokën pas dhe nuk pa frymë njeriu. U befasua, u trondit. Kish hapur detin që ta printe popullin drejt të ardhmes së ndritur dhe askush nuk po i shkonte pas. U përmend i mbytur në djersë të akullta, por nuk i hapi sytë, që të mos dilte prej ëndrrës. Në gatishmëri pranë tij, shoqja N. I fshiu djersët me një shami të butë.
U ndje biri i Atit. Atëherë dëgjoi fjalët që kish parandier:”Ky është biri im!”. Ngriti kokën për të parë atë që duhej të ishte Pagëzori dhe shqoi fytyrën e ngërdheshur të Stalinit… Ishte biri ideologjik i Stalinit dhe gjithë bota e dinte. Biri që e mbrojti, edhe kur gjithë bota e rrëzoi…Ai vetë, Biri që në emër të Atit kish krijuar dhe kish ushqyer kultin e individit të pavdekshëm dhe kish arritur sa të zbatonte modelin ekonomik të Atit, çka përbënte një utopi absurde, mizore dhe qesharake në të njejtën kohë…Parandjeu fundin…Përpara një viti, një goditje në tru ia pati marrë këmbët për tri javë, ia pati turbulluar gjykimin dhe e pati bërë të çaprashiste fjalët. I dukej se kishte pothuajse një ekzistencë fantazme, tek shihte frikë e mosbesim në sytë e të tjerëve, kur ndiente se fshihnin të vërteta. Lufta e madhe për pushtet kish nisur. Pasardhësi”…
Romani ndërthur rrëfimin letrar artistik me trillerin policesk. Kur përshkruhen ngjarje, episode dhe figura historike e politike, rrëfimi dhe mesazhi janë të qartë. Ngjarja e mistershme e viteve 1952 -1953, vrasja e Sarina Solominit dhe nënës së saj. Studentja e shkëlqyer shqiptare ish fejuar me Lev Zbarsky-n, birin e akademikut moskovit Boris Zbarsky. Deponimet e gruas sovjetike Valentina Vasilievski Miho, e bija e Andrea Vasilievskit, gjeneral i besës i mareshalit Zhukov. Bashkëshorti i saj Timo Miho, piloti i udhëheqjes u akuzua për tradhti të lartë më 1975 dhe u pushkatua. Valentina u akuzua si agjente në shërbim të revizionizmit e u dënua me 15 vjet burg. Figura e Leninit, e Stalinit. Balsamosja e tyre. Beria. Daça e Stalinit që rrethohej me bateri kundërajrore dhe me rreth 300 forca speciale të fshehura.Frymimi i Revolucionit Kulturor të Kinës, si uragan murtaje.
Uragan i beftë,i pakuptimtë e vdekjeprurës që u plas në Shqipëri, ku i Madhi i Tiranës shpalli fenë dhe ideologjinë fetare si luftë klasash. Dimri i acartë i viteve 1966 -1967 ripërtëriti barbarinë mesjetare, i vuri zjarrin besimit në Zot; dogji ndërgjegjen, lirinë, tjetërsoi mbi 2000 insitucione fetare. Pamje të përgjakura, peizazhe të përbaltura me batare armiqsh. Sa shumë fytyra shokësh armiq! Vrasja e Sabiha Kasimatit, shoqes së liceut, me foshnjen në bark.Mbledhja ogurzezë e Byrosë Politike, gjyqi politik i 17 dhjetorit 1981, ku shoku M. kuptoi se një lukuni hienash iu vërsulën. Kurthngritësi ish shoku R. I fuqizuar nga aleanca me shoqen N. Kjo nuk besonte në Zot, por besonte veç në pushtet”. Afrimi i diktatorit me fenë që duhej t’i falte gjakun e derdhur mizorisht, për të hapur rrugën e pajtimit, që më pas të sillte bekimin, pas krimeve të përbindshme në 45 vjet – një absurditet i paimagjinueshëm, për një mendje normale njerëzore. Lexuesi percepton qartë përpjekjet e albanologut F.Guttenberg, kërkimet e tij që përshkruhen me hollësi e në detaje. Po ashtu si fakt historik thënia e Plinit Plak për lashtësinë e gjuhës së ilirëve. Përmendja e kalasë së Palokastrës së sh.V para Krishtit. Ndërsa kur flitet për Kryqin e larë në ar dhe Ashklën e Drurit të Shenjtë, rrëfimi ndërlikohet. Futen në lojë agjenturat e huaja, patriarkët e Kishës Ortodokse, Moska me Rasputinin e Stalini, Tirana dhe familja e Diktatorit shqiptar.
…”Ai vendosi të shkonte menjëherë ta shihte e ta prekte objektin e shenjtë që do ta sillte nga vdekja. Ashkla e Shenjtë kish hyrë në jetën dhe në vdekjen e tij. Ashkla nga Druri i Kryqit, ku ishte kryqëzuar Krishti përpara dy mijë vjetësh në Golgota e pati qëndruar në kishën e Shën Mërisë në Labovë për gati 1500 vjet. Në bunkerin labirintik të shtëpisë së tij ishte kasaforta e sofistikuar, ku gjendej Ashkla e Shenjtë. U ndje i përtërirë dhe me gjak të ri në vena…I vetmi vend në botë pa asnjë liri besimi. Kampioni i persekutimit fetar në Univers…Asnjëherë nuk ia kishin raportuar shifrën e saktë të vrasjeve me gjyq e pa gjyq. Shoku M. ishte kujdesuar për gjithçka…Të ishte vallë, ringjallja akti i mëkatshlyerjes së tij?” Diktatori e kryqi –dy anë të kundërta të medaljes. Hipokrizi paradoksale!? Kërkon shpëtim e shlyerje mëkatësh, pa shfaqur pendesë për krimet!?
“Diktatori në kryq”, një roman provokativ që, përmes një atmosfere mistike, surrealiste paraqet fundin e palavdishëm, madhështinë e rrënuar e të kalbur të diktatorit të plotfuqishëm, i cili “do të rronte sa malet”. Si në epilog lexojmë:”Asaj nate iu fanit një ëndërr e pabesueshme. Ai, i veshur si dhëndër, po priste të takonte Klodin, të dashurën që punonte si kameriere në Cafe’ de la Paix në Paris. Androgjini i tij i perëndishëm, të cilin e thërriste me ledhe epshore, herë Serafitus e herë Serafita, iu shfaq përpara.E rrëmbeu në krahë e nisi ta puthte:”Klod, të dua, tërë jetën time të dytë do të ta kushtoj ty. S’ka gjë në botë që t’ia vlejë sa dashuria. As pushteti…Dashuria me Lumkën e tij ishte dashuria e tanishme, e freskët, e kulluar, virgjërore, e fuqishme. I pëshpëriti në vesh: Të dua Lumka ime, të dua me mend të kokës. Kam një lajm madhështor për ty. Komunizmin do ta këmbej me dashurinë. Pushtetin do ta këmbej me dashurinë. Për ty…Kur u zgjua i dhembte zemra. Nuk kish mundur dot të bënte paqe me fenë. Nuk ia kish dalë që ajo ta falte…Ajo i rrinte larg, e vrarë, e përgjakur, e copëtuar, martire dhe madhështore para syve të tij…Lumka me duart e saj do të vendoste mbi qefinin e tij Kryqin e Shenjtë…Askujt nuk ia kishte besën. Lëvdoi veten që nuk ia kish dhënë shoqes N. kodin e kasafortës ku ruante Kryqin. –Lumturia është zhdukur –tha njeriu hije –u bënë 10 ditë. Kam mobilizuar policinë dhe Sigurimin për ta gjetur. -E kanë vrarë, mundi të belbëzonte. E kanë vrarë pëllumbeshën time…Pa e kuptuar, Diktatori pa veten në Via Crucis. Ndjeu se po ngrihej pandalshëm Kryqi ku Ai qëndronte i mbërthyer mizorisht. Po e kryqëzonin të vdekur dhe nuk kishte një mundësi të dytë në tokë”.
Mirvjen Kokona, vajza e shkrimtarit dhe përkthyesit të shquar Vedat Kokona, është shprehur:”Babai e ka njohur E.Hoxhën në Paris, kur nisën studimet; edhe në Korçë, kur jepnin mësim në Liceun francez të dy. Ndryshe nga babai që i kontrollonte detyrat e nxënësve me shumë imtësi, Enveri as nuk lexonte shumë dhe as nuk punonte shumë. Ishte shumë i dhënë pas vajzave. Për komunizmin as nuk e kishte idenë atëherë”. Kamy: ”Shkrimtari nuk mund të vihet në shërbim të atyre që e bëjnë historinë, por të atyre që e pësojnë”. Dy detyra përbëjnë madhështinë e mjeshtërisë së shkrimtarit: shërbesa ndaj të ërtetës dhe rezistenca ndaj shtypjes”. Letërsia, arti nuk e sulmojnë jetën për ta dëmtuar, por për ta bërë më të jetueshme. Histori paralele në roman. Në një letër të Rasputinit flitej për një relikt të Krishtit.
Nga ai relikt buronte pushteti absolut i Patriarkanës së Kostandinopojës dhe nga varej e ardhmja dhe shpëtimi i njerëzimit. Përpjekjet e Alekseit I për ta shtënë në dorë Reliktin e Shenjtë, Kryqin e Labovës. Aleksej I kërkonte ta bindte Stalinin që ta ndihmonte , duke shpikur një atribut të rremë të Ashklës së Shenjtë, atë të fuqisë së Krishtit për të ringjallur të vdekurin. Një tjetër linjë. Baroni gjerman Friedrich von Guttenberg, albanolog, dishepull i Franz Nopcza –s, njohës i veprës së Norbert Joklit, qëndroi mbi 3 muaj në Labovën e Kryqit. Gjeti studimin e papërfunduar të një murgu të sh.VII, i cili ia paskësh kushtuar jetën deshifrimit të disa fletëzave prej plumbi. Priftëreshat pellazge të Dodonës paskëshin gdhendur kumtet e Zeusit në gjuhën ilire. Pini Plak ka shkruar:”Ilirët ishin krijuesit e alfabetit të parë dhe romakët e morën prej tyre”.
“Kisha e Labovës, një ndër monumentet më të rralla historike, fetare e kulturore të Shqipërisë. Njihet si një prej 40 kishave të para, të ndërtuara në të gjithë botën. Historia e Kryqit të Labeovës nis në vitin 326 pas Krishtit. Kryqi u nda në dy pjesë. Njera pjesë mbeti në Jeruzalem, tjetra u dërgua në Kostandinopojë. Disa copa druri nga ky kryq u shpërndanë. Një prej tyre mendohet se gjendej në Kishën e Labovës. Më 1967 Kryqi u fsheh e u ruajt. U vodh më 1989”. Romani si një akt drejtësie për viktimat e diktatorit, që shfaqet si figurë tragjike, njëherazi dhe sarkastike. Libri “Enver Hoxha” i Blendi Fevziut është e para biografi, e bazuar në arkivin personal të tij, në intervistat, kujtimet, letrat. “Diktatori në kryq” është romani i parë artistik që trajton fundin e jetës së diktatorit Hoxha, duke rrëzuar mitin e heroit të lavdishëm e të pavdekshëm.