Shokët e skuadrës në Manchester United i kanë kërkuar rebelit Jadon Sancho që t’i kërkojë falje trajnerit Erik ten Hag dhe nëse ai nuk vepron sipas kësaj këshille, ai do të nxirret në merkato në janar. 

Duket se United është shumë i prirur për ta lënë pas këtë situatë të pakëndshme një herë e përgjithmonë, në një mënyrë ose në tjetrën shkruan “The Guardian”.

Sherri mes anësorit dhe trajnerit shpërtheu në fillim të shtatorit, kur Ten Hag e la Sancho-n jashtë skuadrës së ditës së ndeshjes që u përball me Arsenalin dhe shpjegoi vendimin e tij duke deklaruar se Sancho nuk kishte përmbushur standardet e kërkuara në stërvitje. 

Sancho e mohoi me forcë pretendimin, duke thënë se ajo që menaxheri kishte thënë ishte “plotësisht e pavërtetë” në një postim në rrjetet sociale që ai fshiu pak orë më vonë. Që nga ai moment, sulmuesi anglez ka qenë jashtë skuadrës.

Problemet jashtë fushës i kanë pllakosur rëndë anësorët e United për një kohë të gjatë. Mason Greenwood u akuzua fillimisht për dhunë në familje dhe që atëherë është larguar nga ekipi dhe tani është në huazim te Getafe. 

Antony u akuzua për të njëjtin krim, por asnjë akuzë zyrtare nuk është ngritur ende dhe ai është kthyer me ekipin.

Sa i përket Sanchos, është e vështirë të imagjinohet që ai të rikthejë karrierën e tij në rrugën e duhur në “Old Trafford”, të paktën ndërsa Ten Hag është në krye të ekipit. 

Sa do të zgjasë kjo, mbetet për t’u parë, duke pasur parasysh se United ndodhet në vendin e 10-të në Premier League dhe në fund të grupit të tyre në Champions League për momentin.