Nga Vali Qyrfyçi

Në kohët e sotme, çdo ekzekutim me vdekje ngjall jo pak diskutim në nivel ndërkombëtar. Veçanërisht kur ekzekutimet kryhen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi promotor i vlerësimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Të ndarë në dy kampe, pro dhe kundër dënimit me vdekje çdokush tenton të argumentojë qëndrimin e tij, të heqë paralele dhe të shtrojë pyetje për heqjen e parakohshme të këtij dënimi në vende si Shqipëria, po dhe efikasitetin e tij. Një ditë më parë në Teksas u bë ekzekutimi i rradhës. Troi Blando u qëllua për vdekje 14 vite të shkuara teksa po tentonte të prangoste autorin për vjedhje automjetesh. Nga dje, pas një pritje të gjatë, ekzekutori i policit amerikan nuk është më.

Në Tiranë, ndërkohë vijon procesi maratonë i gjykimit të vrasësit të 4 oficerëve të policisë, proces që po krijon edhe një precedent të rrezikshëm për drejtësinë shqiptare. Autorë të tjerë të krimeve të rënda bëjnë që jetët të mbyllen e treten në dhe, përballë sistemit gjyqësor që shpesh vetëm drejtësi nuk bën, po ngjall hakmarrjen duke stimuluar imazhin e një vendi barbar. Në kushtet e mungesës së dënimit ekstrem, gjakmarrja lulëzoi dhe për krimet e reja. Një pjesë e shoqërisë iu kthye organizimit të hershëm juridiko-social, duke u mbështetur në vetërregullsi. Ringjallja e shëmtuar e Kanunit, në emër të të bërit drejtësi, haset ngado, pa ndasi krahinore. Ndërkaq në vend janë bërë e bëhen reforma në fushën e drejtësisë dhe policimit, po shteti ka dështuar në uljen e nivelit të kriminalitetit.

Shqipëria ka qenë një nga të fundit vende të Evropës Lindore që ka hequr dënimin me vdekje. Rezistenca e saj ka qenë një shqetësim jo i vogël për KE-në, megjithatë qëndrimi i saj iu imponua vendit, ndërsa shtetarët tanë nuk arritën as të tentojnë të argumentojnë pse ky vendim ishte i parakohshëm.

Evropa është sot i vetmi kontinent në botë ku dënimi me vdekje nuk aplikohet më. Fushata e KE-së për heqjen e dënimit me vdekje është bazuar në bindjen se në shoqëritë demokratike ky dënim nuk ka vend. Vendosmëria për të hequr dënimin me vdekje shprehet në Protokollin nr. 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të miratuar në prill të vitit 1983. Në 2002-shin, një tjetër etapë e rëndësishme kapërcehet me miratimin e Protokollit nr. 13 mbi heqjen e dënimit e vdekje në të gjitha rrethanat, edhe për akte të kryera në kohë lufte. KE e ka vendosur heqjen e dënimit me vdekje një kusht për pranim në gjirin e vet.

Po heqja e dënimit me vdekje në një kohë aspak të përshtatshme në Shqipëri duket se e riaktivizoi gjakmarrjen, një dukuri që gjithnjë e më shumë shfaqet e ndërlikuar dhe e vështirë për t‘u luftuar, duke shtuar frikshëm, përpos faktorëve të tjerë, edhe analfabetizmin ndër fëmijët e moshës shkollore.

Duhet pranuar se dënimi me vdekje është një çështje tepër emotive, që na drejton shpesh drejt reagimeve të forta, duke mos përjashtuar as dëshirën për të parë autorin e krimit të ekzekutuar. Viktimat e krimit kanë nevojë për mbështetje dhe drejtësi, por ka shumë arsye pse dënimi me vdekje nuk pajtohet me drejtësinë dhe vlerat shoqërore.

Tek ne, pas çdo krimi të rëndë, si vrasje, pedofili etj., zgjohet debati mbi heqjen e tij, si të "parakohshëm", "jo masë efikase" etj..

Debati më i fundit ishte ai mbi pedofilin Prrenjasi, kur kreu i ekzekutivit duke u shprehur kundër rikthimit të dënimit me vdekje propozoi si masë dënimi për këtë kategori sterilizimin. Shumë persona janë pro rivendosjes së tij, duke e lidhur këtë me ndikim në parandalimin e krimeve dhe dënimin e autorëve. Natyrisht, shpesh merret si argument fakti që vende si Japonia, Kina etj., dhe sidomos ShBA, e zbatojnë ende këtë lloj dënimi. Megjithë presionin e akteve ndërkombëtare, zbatimi i dënimit me vdekje në këto vende mbetet e drejtë e legjislacionit penal të brendshëm.

Për herë të parë në historinë e organit legjislativ shqiptar u diskutua dhe votua për heqjen e dënimit me vdekje në vitin 1993. Por votimi rezultoi kundër heqjes së tij.  Pas aderimit me të drejta të plota përfaqësimi në Këshillin e Europës, në vitin 1995, Shqipëria zbatoi me korrektësi për tre vjet rresht moratoriumin mbi ekzekutimet e dënimeve me vdekje. Ndonëse nuk pati ekzekutime, gjyqësori shqiptar dënoi me vdekje për krime të rënda plot 17 persona nga viti 1996 deri në mesin e vitit 1999. Interpretime të ndryshme pati dhe për qëndrimin e Kushtetutës së 1998-s për dënimin me vdekje. Vitet e trazuara për vendin bënë që gjyqësori të vazhdonte të jepte dënime me vdekje, ndërsa KE megjithëse ishte në dijeni të situatës së rënduar kriminale në vend nuk e uli presionin mbi heqjen e tij.

Në përfundim të moratoriumit, u vendos të konsultohet Komisioni i Venecias mbi përputhshmërinë e dënimit me vdekje me Kushtetutën e Shqipërisë. Vlerësimi i Komisionit dhe gjendja e pezullisë u thyen nga Gjykata Kushtetuese e cila shpalli antikushtetues dënimin me vdekje në kohë paqeje, dënim që parashikohej në Kodin Penal dhe atë Penal Ushtarak. Më pas pasuan ratifikimet e protokolleve nr.6 dhe 13 të KEDNJ-së, përkatësisht në vitet 2000 dhe 2006 duke çuar në shfuqizim të dënimit me vdekje në të gjithë legjislacionin shqiptar, përfshirë dhe dënimet e dhëna në kohë lufte a gjendje të jashtëzakonshme. Rregullimet e ligjit të brendshëm pasuan në secilin rast, duke i dhënë fund epokës së këtij dënimi, në mbrojtje të jetës.

Po heqja e tij kërkon forcimin e shtetit ligjor dhe të organeve shtetërore, arritjen reale të të pasurit të një shteti të së drejtës, për të krijuar besim tek ligji dhe shteti, siguruar qëndrueshmëri politike dhe siguri publike, jetën e pronën e njerëzve, si dhe për të mos e politizuar atë.

Po kur kjo mungon?!