Mbrëmjen e djeshme një banesë dy-katëshe është përfshirë nga flakët në Milot. E zonja e shtëpisë ka treguar momentet, kur ka parë flakët e zjarrit. Sipas saj, në fillim ka pasur një shkëndije elektrike pranë automatit dhe më pas flakët janë përhapur në gjithë banesën. “Automati te dera mori zjarr në fillim, më pas u përhap”, tregoi gruaja.
Ajo tregon se menjëherë sapo ka ndjerë erën e djegur i është bllokuar frymëmarrja dhe ka lajmëruar djalin e saj.
“Zjarri ka rënë nga ora 12 pa 20. Ishim 7 vetë të familjes. Unë kam qenë pa terezi, erdhi era dhe më bllokoi frymëmarrjen. Jam çuar dhe i kam thënë djalit, dilni se u dogjëm. Nxorëm djalin jashtë dhe nusen, burri ka mbetur brenda në fillim. Ne si familje kemi shpëtuar të gjithë. Ja di për nder të madhit zot dhe të rinjve të Milotit, të cilët erdhën i madh dhe i vogël. Erdhën edhe zjarrfikëset, kryetari i komunës me shokët e vet”, tregon e moshuara.
Ajo i bën apel shtetit që ta ndihmojë, pasi dëmet në banesë janë shumë të mëdha.
“Më është dëmtuar kati i parë dhe kati i dytë. Çfarë ka brenda shtëpia është djegur. Ne i kërkojmë ndihmë shtetit që të na ndihmojë. Po ta llogaritës si vlerë shtëpie ka shkuar në 90 milionë lekë. Jemi përjashta veti i shtatë dhe të na japin një dorë ndihmë”, tha gruaja.





