DURRËS, 5 mars 2015 – Të enjten, më 5 mars 2015, nga mesdita, dhe të premten, më 6 mars 2015, do të vazhdojnë reshjet, me një maksimum pasditen e së enjtes (shumë më të pakta të premten, 6 mars 2015), njoftoi Qendra Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore. Reshjet do tё variojnë nga 50 – 60 mm / 24 orë. Vlerat më të larta do tё arrihen nё veriperëndim dhe jugperëndim të vendit.
Reshjet do të jenë në formë dëbore në zonat malore, kryesisht në veri të vendit (atje ajo do të shfaqet në lartësitë mbi 200 m, në zona tё veçanta edhe më poshtë se ky nivel): B. Curri rreth 20 cm dëborë, Kukës 15 cm, Peshkopi 15 cm, Bulqizë 10 cm, Librazhd 3 cm, Pogradec 5 cm, Korçë 3 cm, Ersekë 2 cm. Era do të fryjë e fortë – në bregdet, për momente të shkurtra, mbi 50 km/orë.
LUMENJTË
Pritet rritje e ndjeshme e prurjeve në të gjithë territorin. Prurjet e larta do të jenë të tipit vërshues, që zgjasin disa orë dhe do të kenë pikun e tyre në gjysmën e dytë të së enjtes, më 5 mars dhe fillimit të së premtes më 6 mars 2015.
Lumenjtë e mëdhenj (Drini, Buna, Semani dhe Vjosa) do të rrisin kuotat e tyre në nivele kritike, por paraprakisht nga llogaritjet nuk mendohet se do të dalin nga shtrati. Probleme të mundshme mund të japin lumenjtë e mesëm dhe të vegjël si Drini i Lezhës, Kiri, Lumi i Tiranës, lumi Ishëm, Gjanica, Shushica etj.
Shihen me rrezik të lartë përmbytjeje lumenjtë dhe përrenjtë e qarqeve Shkodër, Lezhë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier,Vlorë,Gjirokastër. Probleme lokale mund të shfaqin zonat urbane apo sipërfaqet që kullojnë me hidrovore, kjo në varësi të gjendjes së infrastrukturës.
CIKLON?
Cikloni Anton (i emëruar nga Universiteti i Berlinit), pritet që të përfshijë vendet e Ballkanit. Cikloni ka filluar të mbledhë energji mbi detin Tirren dhe në pjesë veriore e qendrore të Italisë dhe mbi Ballkanin, si dhe po sjell reshjet e para të shiut, e në disa pjesë të Kroacisë dhe Bosnjës edhe reshje të borës.
Gjatë ditës së premte, më 6 mars 2015, cikloni do të vazhdojë të fuqizohet duke arritur vlera barike edhe nën 1000 mb, ku do të zhvendoset më në juglindje duke sjellë edhe në vazhdim vranësira dhe reshje mbi rajon, që në vende-vende do të jenë intensive, sidomos në Kroaci, Mal të Zi dhe Shqipëri.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





