Mediat në Kosovë kanë zbardhur detaje nga takimi që kryeministri Albin Kurti pati me ambasadorët e Quintit, ku u diskutua gjendja në vend, strukturat paralele serbe si dhe rregullorja e re e Bankës Qendrore, që ka shqetësuar ndërkombëtarët.
Sipas Kurti, afro 40.000 serbë kanë llogari bankare në bankat e licencuara në Kosovë, ku marrin pensione apo paga nga Kosova. Rregullorja e BQK-së, siç tha Kurti, do të mundësojë marrjen e fondeve, pagave dhe pensioneve nga jashtë “si formë e transfertave në këto llogari bankare” dhe, sipas tij, dinari serb mund të shërbejë si mjet për kursim fizik, kursim në llogari bankare dhe të këmbehet në pikat e këmbimit të licencuara.
“Pra, nuk pengon qasjen në financa, në të njëjtën kohë që qasja fizike ofrohet përmes bankave dhe institucioneve financiare jo-bankare anembanë vendit, vetëm në katër komunat në veri të vendit janë gjithsej 15 institucioneve financiare jo-bankare dhe katër degë të bankave komerciale”, ishte argumenti i tij. Dokumentet që ai i paraqiti ambasadorëve tregonin se qytetarët e komunitetit serb tashmë kanë një llogari bankare në euro në një institucion të licencuar, pasi ata tashmë i marrin pensionet, asistencën sociale, përfitimet e fëmijëve dhe pagat nga Thesari i Kosovës, në euro, në llogaritë e tyre bankare. Sipas kreut të Qeverisë, pagesat e marra nga Serbia për shumicën e këtyre familjeve janë burimi i dytë i të ardhurave, krahas asaj që marrin nga Thesari i Kosovës.
Në dokumentet e publikuara nga RTK live, ai po kështu ka paraqitur funksionimin e strukturave ilegale të Serbisë brenda Kosovës, për të cilat siç tha, cenojnë rëndë rendin juridiko-kushtetues. Kurti insistoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ligjet e miratuara në Kuvendin e saj, marrëveshjet me Serbinë dhe Pakoja e Ahtisaarit nuk parashikojnë krijimin ose funksionimin e sistemit ilegal apo komunave të Serbisë brenda territorit të Kosovës.