Me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Shqipërisë miratoi projekt/ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë, duke i detyruar këta të fundit të punojnë 5 vite në Shqipëri, para se t’iu jepet diploma.

Mes debatesh në seancën e cila zgjati deri pas mesnate, mes 95 deputetëve që ishin prezentë,  projektligji u miratua me votat e maxhorancës.

Studentët e Mjekësisë do të firmosin një marrëveshje që do të punojnë në Shqipëri për 5 vite pas diplomimit.  Ky është kusht i detyrueshëm për studentët që regjistrohen për herë të parë në Fakultetin e Mjekësisë vitin e ri akademik, ndërsa për studentet e viteve të dyta deri në të gjashta detyrimi për të punuar është deri në 3 vite, ose mund të zgjedhin të paguajnë tarifën e studimit 13-14 herë më shumë nëse kundërshtojnë mbajtjen e diplomës pas përfundimit të shkollimit.

Kjo nismë e qeverisë për frenimin e ikjes së studentëve nga vendi i tyre, solli pakënaqësi nga studentët. Të dëshpëruar, ata apeluan edhe njëherë të fundit dje para Kuvendit për reflektim nga ana e deputetëve, duke iu kërkuar përfaqësuesve të popullit që të mos e përdornin votën kundër tyre.

Nga ana tjetër, ministret e Arsimit dhe Shëndetësisë, Kushi dhe Manastirliu theksuan disa herë se ligji jo vetëm që nuk është antikushtetues por është i nevojshëm.