Tensionet me Turqisë dhe Greqisë mbi kufijtë detarë në Mesdheun Lindor duket se janë shuar.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga kancelaria Angela Merkel dhe kreu i Këshillit Europian, Çarls Mishel duket se kanë dhënë rezultat pasi presidenti Erdogan është shprehur i hapur për dialog dhe ministritë e jashtme të dy vendeve kanë konfirmuar se do të rinisin bisedimet për detin.

Bisedimet, të cilat u ndërprenë në 2016 pas 60 raundeve ku u arrit pak përparim gjatë 14 viteve, do të rinisin në “të ardhmen e afërt” në Stamboll, tha Ministria e Jashtme Greke në një deklaratë, pa dhënë hollësi.

Turqia gjithashtu nuk dha kohë për një rinisje të bisedimeve por një zyrtar i lartë tha se ato mund të fillojnë në fund të muajit. “Ka zhvillime pozitive,” tha zyrtari, raporton Reuters.

Gazeta turke “Hurriyet” ka raportuar se Kryeministri Kiriakos Mitsotakis dhe Presidenti turk Erdogan do të zhvillojnë një telekonferencë, pas komunikimit trepalësh midis Presidentit Turk dhe Angela Merkel dhe Charles Michel.

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan zhvilloi ditën e djeshme një bisedë me presidentin francez, Emanuel Makron, me të cilin pati shkëmbyer edhe akuza në distancë për shkak të mbështetjes që Franca dha për Greqinë duke dërguar një aeroplanmbajtëse në Mesdhe.

Në një deklaratë pas bisedës midis dy udhëheqësve, presidenca turke tha se Erdogan theksoi nevojën për përdorimin e mundësive diplomatike për të zbutur situatën dhe për të arritur negociata të qëndrueshme.

Ministria e jashtme franceze tha pas bisedës, e cila zgjati mbi një orë, se shpresonte që një dialog midis Turqisë dhe Greqisë mund të vazhdonte dhe tha se Makron kishte bërë thirrje për një qasje të ngjashme me Qipron.

“Ai (Makron) i kërkoi Turqisë që të respektojë plotësisht sovranitetin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian si dhe të drejtën ndërkombëtare dhe të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm i mëtejshëm që mund të provokojë tensione,” tha zyra e jashtme franceze, duke shtuar se Makron dhe Erdogan kishin rënë dakord për tu mbajtur në kontakt.

Presidenti Erdogan propozoi gjithashtu të martën një konferencë rajonale me të gjitha shtetet bregdetare mesdhetare, përfshi qipriotët e shkëputur turq, për të adresuar tensionet mbi kufijtë detarë dhe kërkimet e hidrokarbureve në rajon.

Duke iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në një video-mesazh, Erdogan tha se kërkesa kryesore e Turqisë ishte të zgjidhte mosmarrëveshjet “me të drejtë dhe në një mënyrë të përshtatshme” përmes bisedimeve, por shtoi se përpjekjet “e kota” për të përjashtuar Turqinë nga planet në Mesdheun lindor nuk mund të kenë sukses.

Tensionet mes Turqisë dhe Greqisë u ndezën muajin e kaluar pasi Ankaraja dërgoi anijen e saj të studimit sizmik Oruc Reis në ujërat e pretenduar nga Greqia, të shoqëruar nga anije ushtarake, për të për shpime të mundshme për naftë dhe gaz.

Një anije luftarake turke dhe një greke u përplasën gjatë tensioneve.

Vendimi i Turqisë për të tërhequr anijen eksploruese sizmike nga ujërat e pretenduar nga palët u pa si i shenjë e mirë nga BE. Për këtë arsye edhe sanksionet të cilat ishin paralajmëruar nga Brukseli me shumë gjasa nuk do t’i vendosen Turqisë.