21 gusht 2015 – Ambasada ruse riboton në faqen e saj në internet shkrimin e Nikollë Lesit “Pse të mos lejojmë investimet ruse në Shqipëri?” (shih faksimilen).
Në kulmin e bumit mediatik për embargon e Moskës ndaj trangujve dhe rrush-e-kumbullave shqiptare, më 13 gusht 2015, gazeta “Koha Jonë” me botues Nikollë Lesi hedh në qarkullim shkrimin me titull “Pse të mos lejojmë investimet ruse në Shqipëri?”. Ndonëse në asnjë rast Tirana zyrtare nuk ka bërë deklarime kundër investimeve të “arinjve”!
Info 1
Më 13 korrik 2010, Nikollë Lesi, atëherë zëvendësministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Berishës zhvilloi një vizitë zyrtare në Rusi me ftesë të homologut të tij Oleg Rrozhnov. Lesi deklaroi në Moskë se 30 mijë turistë rusë vizituan Shqipërinë një vit më parë. Por Rosstat-i (Shërbimi federal i statistikave i Federatës Ruse) foli për 600 të tillë, pra 50 herë më pak.
Info 2
Po më 13 gusht 2015 Nikollë Lesi boton editorialin “Edi hesht, Saliu qesh” lidhur me djegien e gazetës “Koha jonë” në vitin 1997. Në shkrim mes të tjerave thuhet: “Ajo që çudit sot nuk është qëndrimi i PD-së dhe kompleksi i saj me të kaluarën dhe krimet e qeverisjes së parë të Berishës. Çudia ka ndodhur me PS-në, e cila kur ishte në opozitë bërtiste se "e dogji shteti i Saliut!"!… Djegia e “Koha Jonë” është një krim shtetëror dhe duhet të trajtohet si i tillë… Mirë Berisha që nuk donte të kontribuonte në zbulimin e autorëve dhe dhënien e drejtësisë, se kishte gisht pushteti i tij në këtë djegie e masakrim të gazetarëve dhe gazetës, por PS-ja dhe tani Edi Ramën çfarë i pengon?”.
Megjithatë Lesi pranoi që në vitin 2010 t’i shërbente Berishës “zjarrvënës” si zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve!
/th. m. portali “durreslajm.com”/