Është një nga kampuset e mesme profesionale më të rëndësishme në rang vendi dhe në këto 20 ditë të para të regjistrimeve në klasën e 10-të ka shënuar shifra më të larta sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.
Po flasim për shkollën “Beqir Çela” në Durrës, e cila me 5 drejtimet profesionale që ofron rezulton mjaft e kërkuar nga nxënësit që sapo kanë përfunduar klasën e nëntë dhe po përzgjedhin arsimin e mesëm që duan të ndjekin.
“Shkolla profesionale “Beqir Çela” pretendon minimalisht të regjistrojë rreth 400 nxënës edhe këtë vit në klasën e 10-të. Ne kemi një fluks të madh regjistrimesh dhe më të kënaqshëm sesa viti i kaluar. Për periudhën që flasim janë 165 nxënës të regjistruar në klasën e 10-të për të 5 drejtimet mësimore që shkolla jonë ofron; Shërbime mjetesh transporti, Elektroteknikë, Teknologji informacioni dhe komunikimi, Termohidraulikë dhe Mekanikë”,– thotë drejtori Fatmir Mërkuri për “DurrësLajm”.


Me ambiente dhe godina të rikonstruktuara vitet e fundit, mes të cilave edhe konvikti, shkolla e mesme profesionale “Beqir Çela” mbledh pranë saj jo vetëm nxënës të bashkisë Durrës dhe asaj Kavajë, por edhe nga rrethet e largëta, si Kukësi, Korça etj. Frekuentimi në masë të madhe nga djemtë vijon të mbetet ende “ekskluzivitet” i kësaj shkolle profesionale, gjë që dëshmohet edhe në regjistrimet për klasën e dhjetë, ku raporti mes djemve dhe vajzave anon mjaft ndjeshëm në favor të gjinisë mashkullore.
“Aktualisht janë regjistruar 5 vajza në drejtimin “Teknologji informacioni dhe komunikimi”. Pretendojmë që numri i vajzave të vijojë të rritet në këtë drejtim, por edhe n Eleektroteknikë, që janë më afër profesioneve që ndjekin vajzat”,- thotë Mërkuri.
Vitin arsimor që sapo u mbyll këtë shkollë profesionale e frekuentuan më shumë se 1200 nxënës, nga të cilët rreth 400 ishin në klasë të dhjetë. Dega më e frekuentuar mbetet prej vitesh “Shërbime mjetesh transporti”, që furnizon tregun e punës me mekanikët e automjeteve. Krahas shkollimit, nxënësit e kësaj shkolle perfeksionojnë edhe profesionionin që kanë zgjedhur, përmes punësimeve part time apo praktikave mësimore në subjektet private.
M.B.





