Disa banorë që preken nga zbatimi i projektit TID janë mbledhur mbrëmjen e sotme para Bashkisë Durrës dhe kanë qëndruar për minuta të tëra para institucionit të qeverisjes vendore duke kërkuar një takim me kryetaren e bashkisë, Emiriana Sako.

Në ambientet e jashtme të bashkisë është vënë re një prezencë e shtuar e Policisë Bashkiake, që ka mbikëqyrur nga afër banorët, të cilët një ditë më parë ishin pjesëmarrës në protestën që u karakterizua nga momente acarimi dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Pasi kanë qëndruar për disa minuta para bashkisë, kryebashkiakja Sako ka pranuar një përfaqësi prej tyre, me të cilët ka zhvilluar një takim, që është karakterizuar nga tone jo shumë të qeta.

Sipas burimeve nga pjesëmarrësit në takim, Sako u ka premtuar banorëve se do të marrin të njëjtën sipërfaqe banimi në apartamentet e reja në sitin e Spitallës.

Oferta e Sakos nuk është pranuar nga përfaqësia e banorëve, të cilët kanë deklaruar se pronat e tyre do t’i mbrojnë me gjak.

Edhe ky takim, që nuk ka qenë i organizuar më parë, nuk ka prodhuar një rezultat konkret për familjet që banojnë në zonën historike dhe që nga shtatori i vitit të kaluar kanë zhvilluar protesta të vazhdueshme, pasi kërkojnë pezullimin e projektit TID dhe shprehen të vendosur të mos lejojnë shembjen e shtëpive të tyre.

Ditën e nesërme është paralajmëruar një tjetër protestë, këtë herë para Kuvendit të Shqipërisë, ku do të mblidhen për të protestuar për mbrojtjen e pronave të tyre banorët e TID Durrës, ata të Rrjollit në Shkodër dhe të tjerë qytetarë që kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre.