23 shkurt 2014 – Google ofron mjete të ndryshme për të mundësuar sigurinë e llogarisë tuaj në Gmail, por ato funksionojnë vetëm nëse i aktivizoni.
Përditësoni opsionet e rigjenerimit të llogarisë
Numër telefoni celular: Në qoftë se harroni fjalëkalimin ose në rast se hasni një aktivitet të pazakonshëm në llogarinë tuaj, Google do të dërgojë me SMS një kod sigurie në mënyrë që të vërtetohet se ju jeni përdoruesi i duhur. Në qoftë se dikush ka mundur të gjejë fjalëkalimin tuaj, ka shumë pak gjasa që të ketë edhe numrin tuaj të telefonit. Google e përdor numrin tuaj vetëm për çështje sigurie. Është e rëndësishme që të përditësoni numrin sa herë të jetë e nevojshme pasi nuk ka kuptim që Google të dërgojë kodin e sigurisë ndaj një numri që ju nuk e përdorni aktualisht.
Adresë e-mail-i për rikthimin e të dhënave kryesore: Në mënyrë të ngjashme me numrin e telefonit, Google përdor një adresë alternative e-mail-i për të dërguar kodin e sigurisë apo mesazhe të tjera përsa i përket sigurisë si për shembull në rastet kur harroni emrin e përdoruesit ose fjalëkalimin. Në qoftë se nuk dispononi një adresë të dytë e-mail-i atëherë mund të përdorni llogarinë e një personi të besuar.
E-mail-i alternativ: Ndryshe nga adresa e-mai-itl e përmendur më sipër, e-mail-i alternativ mund të përdoret si një adresë e dytë për t’u loguar në llogarinë tuaj në Google. Ajo nuk mund të jetë një llogari Gmail, por njëkohësisht nuk duhet të jetë as adresë e lidhur me një llogari tjetër në Google.
Verifikimi me dy hapa
Kjo mund të jetë mënyra e vetme më e mirë për sigurimin e llogarisë tuaj. Kur logoheni nga një pajisje e re (që nuk jeni loguar më parë), nuk do t’ju kërkohet vetëm fjalëkalimi, por edhe një kod me gjashtë shifra që është unik për pajisjen tuaj. Edhe në rast se dikush ka fjalëkalimin tuaj, në qoftë se ai person nuk ka akses ndaj pajisjes sekondare ku është dërguar kodi, atëherë nuk do të përfundohet proçesi i logimit.
Në raste emergjente (kur keni humbur telefonin ose kur është shkarkuar bateria) ju mund të gjeneroni një listë me 10 kode që mund të përdoren vetëm njëherë, mund t’a printoni dhe mund t’a ruani në një vend të sigurt në mënyrë që t’a përdorni për të aksesuar Gmail-in nga ato pajisje që më parë konsideroheshin si “jo të besuara”.
Përdorni një fjalëkalim unik
Në qoftë se kërkoni mund të gjeni online shumë këshilla për krijimin e një fjalëkalimi të sigurt, por sidoqoftë duhet të keni parasysh që fjalëkalimin që do të përdorni për llogarinë në Gmail të mos e përdorni diku tjetër.
Duhet të keni me të vërtetë kujdes sepse po ta mendoni, në qoftë se harroni fjalëkalimin e llogarisë tuaj bankare, linku i rivendosjes së tij do t’ju dërgohet në adresën tuaj të e-mail-it. Kjo është një prej arsyeve pse posta juaj elektronike duhet të sigurohet me një fjalëkalim shumë të fuqishëm.
Aktivizoni përdorimin e HTTPS (SSL) në Gmail
Është gjithnjë e këshillueshme që të përdorni një lidhje të sigurt. Këtë opsion mund t’a gjeni duke ndjekur këto hapa: Settings > General > Browser Connection.
Në rast se përdorni një kompjuter publik…
Është e këshillueshme që të navigoni duke aktivizuar opsionin “private” ose “incognito”. Këto opsione, të disponueshëm pothuajse në të gjithë shfletuesit modernë, parandalojnë ruajtjen e historikut të navigimit në ueb, të dhënave të formave apo të dhënave cookie. Gjithashtu asnjëherë mos harroni të mbyllni llogarinë tuaj.
Kujdes nga sulmet “Phishing”
Asnjë faqe tjetër nuk duhet t’ju kërkojë fjalëkalimin e llogarisë tuaj në Google përveç Google-it. Asnjëherë mos vendosni fjalëkalimin tuaj në ato faqe që drejtoheni duke ndjekur një link edhe sikur ky link t’ju dërgohet nga ndonjë person i besuar. Në vend të tyre duhet të drejtoheni këtu https://accounts.google.com/ServiceLogin ose këtu https://www.gmail.com/ .
Siguroni dhe përditësoni sistemin tuaj
Përditësoni vazhdimisht sistemin tuaj ose shfletuesin. Sigurohuni që të keni instaluar një antivirus të besuar dhe sigurisht kujdesuni që t’a përditësoni atë vazhdimisht.
/PCWorld Albanian/





