Joe Anderson ndoshta është njeriu që ka marrë dhuratën më të bukur të festave. Një histori gati-gati e pabesueshme që vjen nga përtej Atlantikut, ku protagonist është vetë personi në fjalë, ëndrra e të cilit për të luajtur në futbollin amerikan, u bë realitet. 

Për muaj me radhë ai u vendos në hyrjen e stadiumit të Houstonit me një karton ku shkruhej: “Nuk jam lypës, por kam uri për sukses. Jam i gatshëm të bëj gjithçka, vrapoj për t’u ushqyer“. Një thirrje adresuar skuadrave të futbollit amerikan për ta marrë në grupin e tyre. Ai nuk është një njeri anonim, sepse e ka nisur karrierën me ekipin e kolegjit të Texasit madje ka luajtur edhe me fanellën e Chicago Beras por më pas ai nuk u ngjit asnjëherë në nivelet të larta duke i ndjekur ndeshjet nga televizori.

Edhe pse qëndroi i palëvizur për disa muaj në hyrjen e stadiumit të Houston, skuadra e vendlindjes e injoroi por gjesti i tij ngjalli kureshtjen e New York Jets që e thirri në skuadër ku ai stërvitet bashkë me lojtarët e tjerë. Tashmë, gjithçka është në dorën e Anderson. Mundësia do të vijë, Joe duhet vetëm ta shfrytëzojë për të gëzuar suksesin në nivelet profesioniste të futbollit amerikan.