Kanë kaluar pesë muaj nga njoftimi i ndarjes së Francesco Tottit dhe Ilary Blasi, por vëmendja është ende e madhe tek zhvillimet në jetën e tyre private. Në veçanti kur bëhet fjalë për ish-futbollistin dhe partneren e tij të re Noemi Bocchi. Kështu, pas daljes së tyre parë publike, vizitës në shtëpinë e re dhe puthjeve të para në publik, duket se ka ardhur edhe sherri i parë mes çiftit. Të paktën kështu pretendojnë mediat italiane pas fotove që janë publikuar nga ‘Diva e Donna’.

Revista ka publikuar disa foto të ish-mbrojtësit dhe Noemi Bocchi-t teksa ndodhen në një restorant në Romë. Të dy duket se kanë një mosmarrëveshje, pasi futbollisti bën gjeste, më pas shfaqet i mërzitur ashtu si partnerja e tij. Në faqet e të përjavshmes lexojmë: “Krisje apo është vetëm një moment i vogël tensioni mes të dashuruarve?”.

Më tej vijon:

“Gestet e dy të dashuruarve tregojnë një farë tensioni që mund të jetë rreth celularit. Diskutimi mes Tottit dhe Noemit vazhdon në tavolinën e restorantit dhe duket se bëhet më i theksuar. Ndërsa çifti përballet me atë që duket si një sherr i parë në publik, nga Ilary Blasi ka një lajm të ri: prezantuesja po del me një burrë më të ri, një sipërmarrës gjerman me të cilin kaloi një fundjavë në Cyrih.”

Në fotot e publikuara nga ‘Diva e Donna’, Noemi Bocchi shihet duke fshirë lotët, ndërsa Totti vë dorën në kokë. Në një tjetër shkrepje, futbollisti bën gjeste që e tregojnë të nervozuar. Duke qenë se Noemi shihet duke mbajtur telefonin në dorë, e përjavshmja ngre dyshimin se telefoni mund të lidhet me arsyen e sherrit të pretenduar.