Nga Kasem Seferi
Sistemi tatimor nevojitet të jetë sa më pak kompleks dhe sa më shumë i qëndrueshëm me qëllim që t’ua bëjë të mundur sa më shumë parashikimet bizneseve.
“Përse tatojmë, çfarë tatojmë, si tatojmë, cilat janë efektet e tatimeve dhe kush i paguan tatimet?”, janë pyetje që konsumohen prej më shumë se disa shekujsh. Dhe pas këtyre pyetjeve ngelet ajo që mund të quhet pyetja e pyetjeve: Cili është sistemi më i mirë tatimor?
Sistemi më i mirë tatimor për çdo vend do të ishte sistemi që do të pasqyronte më mirë strukturën ekonomike të vendit, kapacitetin për t’i administruar tatimet siç duhet, nevojat për të plotësuar shërbimet publike dhe të drejtën e hyrjes në burime të tjera të tilla të ardhurash si ndihma, etj. Përveç kësaj duhen marrë gjithashtu në konsideratë faktorë të tillë të paqartë, por të rëndësishëm, si morali tatimor, apo kultura tatimore dhe, ndoshta, mbi të gjitha, niveli i besimit ekzistues ndërmjet njerëzve dhe qeverisë së tyre, për arsye se historia ka treguar se një prej burimeve më të rëndësishëm të diferencave ndërmjet teorisë tatimore (rreth asaj që shkruhet dhe diskutohet në njërën anë, procesit të politikës tatimore dhe reformës tatimore që vihet në jetë, në anën tjetër) e kanë bërë më se të qartë se çdo lëvizje në politikën tatimore, në njëfarë shkalle, përfaqëson një hap/kapërcim në të panjohurën.
Pra, nivelet e përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor nga tatimpaguesit mund të parashikoheshin mirë dhe në mënyrë të arsyeshme në lidhje me sistemin tatimor ekzistues dhe, në të njëjtën mënyrë, sistemi i ri tatimor vetëm të mund të merrej me mend; prandaj duhet të parashikohet me kujdes që me kalimin e kohës, reforma tatimore të jetë një proces që përhapet në mënyrë të natyrshme dhe me arsye të mira, veçanërisht, për sa u përket ndryshimeve që duhet të ndodhin (hap pas hapi) përgjatë viteve dhe dekadave.
E thënë troç: A duhet adresuar legjislacioni tatimor në ato drejtime që nuk e shtrembërojnë sjelljen e tatimpaguesve, me atë lloj kujdesi që të shmangë ndryshime të papritura që të çojnë në ristrukturimin domethënës të shitjeve me shumicë, gjë që sjell pasoja për financat publike dhe për ekonominë? Përgjigjja është e qartë: sistemi tatimor nevojitet të jetë sa më pak kompleks dhe sa më shumë i qëndrueshëm me qëllim që t’ua bëjë të mundur sa më shumë parashikimet bizneseve. Pra, duhet konsideruar drejt dhe në kohë volumi i legjislacionit tatimor dhe i ndryshimeve të tij, për arsye se legjislacioni tatimor i shërben kontekstit të konkurrencës tatimore në kuadër të integrimit rajonal dhe global, që tregon se legjislacioni tatimor në ato drejtime themelore që tërheqin investimin e huaj; pra legjislacioni tatimor është i thjeshtë dhe homogjen, gjë që i jep biznesit sigurinë që i nevojitet; i shërben stabilitetit afatgjatë me kusht që bizneset të adoptojnë strategji afatgjatë.
Por, në këtë kontekst, kur bëhet fjalë për ndryshime në legjislacionin tatimor duhet theksuar parimi: “Më së pari dhe më shumti, të mendohet për biznesin e vogël”, me qëllim që sistemi tatimor të ketë nivelin e duhur të transparencës dhe të stabilitetit, që ta risigurojë dhe inkurajojë biznesin e vogël. Gjithë sa është thënë deri këtu shtron pyetjen: A konsultohet qeveria në mënyrë të qëndrueshme me komunitetin e biznesit mbi çështjet tatimore, veçanërisht, në çështjet e zvogëlimit të kompleksitetit dhe barrëve që rezultojnë nga përmbushja e kërkesave të legjislacionit tatimor, veçanërisht, në periudhën më të vështirë të ndikimit të krizës financiare dhe ekonomike botërore? Le të citojmë vetëm thënien: “Ligjvënësi duhet të veprojë si bleta, e cila e mbledh mjaltin pa i shkaktuar dhimbje bimës”.
Të tatuarit ka këto qëllime ose efekte kryesore: të ardhurat, rishpërndarjen, rivendosjen e çmimit dhe përfaqësimin. Qëllimi kryesor janë të ardhurat: tatimet mbledhin para për të shpenzuar për mbrojtjen, rrugët, shkollat dhe spitalet dhe, në mënyrë më indirekte, funksionet e qeverisë si rregullimi i tregut ose sistemet ligjore; rishpërndarja që, normalisht, nënkupton transferimin e pasurisë nga më të pasurit te më të varfrit; rivendosja e çmimit, ose më saktë adresimi i ndikimit të faktorëve të jashtëm si, për shembull, duhani tatohet për të shkurajuar të pirit e tij; përfaqësimi, ose arsyeja përse qeveritarët i tatojnë qytetarët dhe, si përgjigje, qytetarët kërkojnë përgjegjshmëri nga qeveritarët e tyre si pjesë e kësaj marrëveshje.
Sot, në më të shumtën e rasteve, besohet se sistemi më i mirë tatimor që mund të ketë një vend është ai që pasqyron rritjen e ekonomisë nga e cila përfiton pjesa më e madhe e popullit të tij dhe një rezultat të tillë nuk mund ta përcaktojë qeveria, por përfituesi/qytetari. Parimi i përgjithshëm i të tatuarit, natyrshëm, të çon tek ideja që të mbështesësh të tatuarit me bazë të gjerë. Të tatuarit me bazë të gjerë duhet të përputhet me nocionet e arsyeshme të parimit të përgjithshëm të të tatuarit; pra; për të gjithë të zbatohet një masë tatimi.
Të tatuarit me bazë të gjerë, jodiskriminues pengon përpjekjet për ta përdorur të tatuarit për të dhuruar ose për të ndëshkuar disa forma të veprimtarisë ekonomike/lloje dhe madhësisë së biznesit, ose më saktë parimi i vërtetë i mosdiskriminimit është ai që i kërkon shtetit të jetë neutral drejt të gjitha llojeve të veprimtarive. Parimi i mosdiskriminimit përplaset me përdorimin e të tatuarit për të ndëshkuar dhe për të dhuruar. Sapo një qeveri kërkon pushtet për të dhuruar ose për të ndëshkuar lloje të veçanta veprimtarish, parimi i bazës së gjerë, të tatuarit jodiskriminues shpejt avullon ndën nxehtësinë e politikës. Çfarë rezulton është një pushtet i pakufizuar për të tatuar, ku i vetmi kufi në arritjen e administratës tatimore është ai pragmatik, si rezultat i presionit politik dhe i votimeve. Kjo është arsyeja përse këto vite të fundit, mënyra e të tatuarit, ose politikat tatimore janë bërë një prej temave më të spikatura në media, të përfshira në thelb të fushatave të fundit të zgjedhjeve të përgjithshme, që kanë në ndryshime të shpeshta të legjislacionit tatimor duke bërë të mundur që këto ndryshime të nxisin një debat pambarim. Pamjaftueshmëria e të ardhurave është kriteri që të bie në sy për sa i përket politikës tatimore; në këtë kohë kur deficiti buxhetor është rritur, pjesë e arsyes për këtë deficit është fakti se të ardhurat e mbledhura nuk kanë mjaftuar për të financuar shpenzimet e planifikuara për vitet 2014 – 2015, gjë që dëshmon për sa i përket kontradiktës ndërmjet eficencës dhe drejtësisë së mënyrës së të tatuarit. Paketa e fundit fiskale duhej parë dhe analizuar në kontekstin e mësipërm, veçanërisht, po të ishte bërë një analizë kritike me atë çfarë ka ndodhur në këto njëzet e ca vjet me të tatuarit e biznesit të vogël që prej vitit 1990 kur filluan të “lindin” bizneset e vogla të qofteve dhe veprimtarive të vogla të ngjashme. /Burimi Monitor/