Teuta humbi me shifrat 0-1 nga Kastrioti, duke kompromentuar jo pak garën për vazhdimësinë në kampionat. Mbrojtësi i majtë, Blerim Kotobelli, theksoi se është momenti që skuadra të bëjë kthesën, duke filluar nga ndeshja në Laç.
Blerim, një humbje që djeg ndaj Kastriotit dhe ju fut sërish në sikletin e zonës “play out”. Çfarë nuk shkoi sipas jush?
Të jem i sinqertë, ndeshja ndaj Kastriotit ishte një nga ditët e këqija të Teutës, por që u ndodh të gjithëve. Nuk e shfaqëm lojën tonë më të mirë dhe për shkak të një gabimi, u ndëshkuam. Humbjet ndonjëherë të mësojnë për t’u përmirësuar dhe kjo ndaj Kastriotit duhet të na bëhet si mësim për vazhdimësinë.
Pësoni gola naivë, është kjo keqardhja më e madhe?
Sigurisht nuk është e lehtë kur pëson një gol të tillë, por ne duhet ta harrojmë sa më shpejt atë ndeshje. I kemi të gjitha mundësitë të nisim një seri fitoresh.
Ndeshja e radhës është përballë Laçit, mendoni se ekipi mund të bëjë kthesën ndaj një kundërshtari të vështirë?
Ne futemi në çdo ndeshje me dëshirën për të fituar, por duke i respektuar të gjithë kundërshtarët. Unë besoj se mund të bëjmë kthesën dhe do të shkojmë për tri pikë në Laç.
Në këtë situatë, rezultati pozitiv duket si detyrim apo jo?
Në futboll nuk i dihet kurrë se çfarë do të ndodhë. Detyrimi ynë është të japim 100% nga vetja dhe më pas do të shohim nëse kjo do të jetë e mjaftueshme.
Si e shikoni këtë kampionat, mendoni se do jetë një luftë e fortë deri në fund?
Ne si Teutë duhet të ulim kokën për të parë ndeshjen e radhës, në mënyrë që të marrim rezultatin e duhur. Jemi kampionët në fuqi dhe duhet të tregojmë veten. Shumë skuadra duan të jenë në krye, por askush nuk e fiton titullin pas 25 javësh.





