Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka marrë një sërë vendimesh pas javës së fundit të kampionatit, ku më së shumti bie në sy dënimi ndaj trajnerit të Dinamos, Ilir Daja, për refuzimin e përsëritur për të dhënë intervistë pas ndeshjes kundër Laçit. Daja është gjobitur me 100 mijë lekë, ndërsa përgjegjësinë financiare e mban edhe klubi Dinamo City.
Në listën e vendimeve të bëra publike më 23 prill 2025, janë gjobitur edhe disa klube për sjellje të gabuar të tifozëve, përfshirë Bylis, Laçin, Apoloninë dhe Lushnjen. Të gjitha janë ndëshkuar me gjoba prej 50 mijë lekësh, për hedhje sendesh në fushë.
Gjithashtu, shumë klube të moshave janë dënuar për braktisje të ndeshjeve apo incidente të tjera të ngjashme, duke humbur në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe duke u gjobitur me nga 100 mijë lekë. Ndër to përfshihen FC Vlora Femra U-17, KF Erzeni U-17, Flamurtari FC U-14, Loris B U-15, AS L. Millo U-15, AF Brians U-11 dhe SC Porto U-13.
Një nga ndëshkimet më të rënda është ai i FK Kukësi U-17, që për shkak të lejimit të personave të paautorizuar në fushë dhe ndërprerjes së ndeshjes kundër Akademisë Etien, është ndëshkuar me humbje në tavolinë dhe një gjobë prej 500 mijë lekësh. Po në këtë ndeshje, janë pezulluar edhe zyrtarë e lojtarë të të dy ekipeve, përfshirë një dënim me 1 vit pezullim për lojtarin Leonard Ademaj.
Disiplina ka miratuar gjithashtu kërkesën për ulje të dënimit për lojtarin e Fushë-Krujës U-17, Angelos Berhami, duke pezulluar pjesën e mbetur të dënimit me kusht për 6 muaj.