16 shtator 2015 – Ardit Hila i Teutës dhe Renato Malota i Kukësit janë dënuar nga Komisioni i Disiplinës me nga 5 ndeshje pezullim secili. Përplasja mes tyre pas një dyluftimi në ndeshjen e fundjavës ku u ndëshkuan erdhe me karton të kuq i ka kushtuar shtrenjtë dy futbollistëve. Ndërsa Vllaznia kërkon përjashtimin e gjyqtarit Kreshnik Cjapi për vendimet e marra gjatë përballjes së javës së tretë me Partizanin, ndaj klubit shkodran merret një masë displinore. Zyrtari i kuqezbluve, Ilir Dibra është pezulluar për 8 takime për shkak të sjelljes së tij gjatë tërheqjes së ekipit për disa minuta në fundin e pjesës së dytë.

Ja vendimet e plota: 

1. Zyrtari i KF Vllaznia, Ilir Dibra, për hyrje në fushën e lojës pa lejen e gjyqtarit dhe sjellje jo sportive ndaj zyrtareve të ndeshjes, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti, bazuar në nenin 49/2.a të KDS.

2. Lojtari i KF Kukësi, Renato Malota, për goditje me shkelm ndaj lojtarit kundërshtar, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti, bazuar në nenin 48/1.e të KDS.

3. Lojtari i KF Teuta, Ardit Hila, për goditje me kokë ndaj lojtarit kundërshtar, dënohet me 5 (pesë) ndeshje pezullim nga aktiviteti, bazuar në nenin 48/1.e të KDS.

4. KF Tërbuni, për hedhje të mjeteve ndezëse, dënohet me gjobë me vlere 30.000 (tridhjetëmijë) lekë, bazuar në nenet 65/1 dhe 66/1 të KDS.

5. KF Ada Velipojë, për dështim në përmbushjen e përgjegjësive, dënohet me gjobë me vlerë 15.000 (pesëmbëdhjetëmijë) lekë, bazuar në nenet 65/1 dhe 136/1.a të KDS.

6. Mospranimin e kërkesës së presidentit të ekipit të Brians, Gjergji Filipi, për rishikimim e vendimit të Komisionit të Dispilinës Sportive.

/portali DurresLajm/