TIRANË, 13 mars 2013– Plot me debate është shoqëruar mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ku u mor në diskutim dorëzimi i listës së anëtarëve zgjedhorë dhe rregullorja e funksionimit të KQZ. 

Përfaqësuesi i PS, Genc Gjoncaj kërkoi që afatet e vendosura, jo vetëm për listat, duhet të jenë të njëjtat afate për të gjithë. 
“Ju ftoj të qëndroni mbi palët, kështu vjen besimi tek institucioni”, tha Gjoncaj. 

Por kryetarja e KQZ, Lefterie Lleshi ndërhyri duke theksuar se, listat që janë dërguar nga përfaqësuesit e PS në këtë komision nuk kanë mbërritur brenda afatit dhe se nuk kanë qenë të plota. 
“Listës duhet t’i bashkëngjitej dokumentacioni përkatës. Sipas nesh afati i fundit për dorëzimin e listës, 8 marsi”, tha Lleshi. 

“Por matematikisht afati i fundit i dorëzimit të listës është 10 marsi”, tha Biba. 

KQZ mori në diskutim dhe ndryshimet e rregullores së funksionimit të KQZ ku debati u zhvendos mes anëtarit socialist në KQZ, Denar Biba dhe përfaqësuesit të PD, Njazi Kosovrasti. 

Sipas PS, duhet bërë një rregullore e re sepse tek rregullorja aktuale janë kryer ndërhyrje të shpeshta. 
Por kjo ra në kundërshtim me PD pasi sipas tyre rregullorja aktuale pranon ndryshime dhe se nuk është nevoja për rregullore të re. Këtu nisi dhe debati me tone të ashpra mes Bibës dhe Kosovrastit. 

Biba: Kur na bëtë priftërinj në këtë tavolinë tani mos na prisni mjekrën 
Kosovrasti: Po nuk mund të ta zgjas apo pres unë mjekrën, mbaje sa të duash. 
Biba: Lidhur me rregulloren mos merrni kaq zjarr 
Kosovrasti: Po s’mund të bëni ç’ju do mendja juve këtu 

Ndërkaq ndërhyri Gjoncaj që theksoi se materiali i rregullores së hartuar në vitin 2005, është prekur në 99% të neneve. 
“Ndaj duhet hartuar një teknikë e re e rregullores, te kemi rregullore te unifikuar”, tha ai.