Ambasadorja e Kroacisë në vendin tonë Sanja Bujas-Juraga, është pritur në një takim nga kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, fokusi i të cilit ishte intensifikimi i marrëdhënieve midis dy vendeve dhe bashkëpunimi konkret i Durrësit me qytetet bregdetare kroate.

Mësohet se Dako dhe ambasadorja kroate Bujas Juraga kanë diskutuar gjerësisht lidhur me vendosjen e bashkëpunimit midis Durrësit dhe porteve kroate, veçanërisht me portin e Rijekës, ku do të fillojnë hapat konkretë për mundësinë e vendosjes së një linje trageti.

Kryebashkiaku deklaroi se Durrësi ka çfarë t’u ofrojë investitorëve të huaj dhe konkretisht edhe atyre kroatë në të gjithë sektorët ekonomikë. Nga ana e saj, ambasadorja kroate deklaroi se ka një frymë miqësie të fortë mes dy vendeve dhe jo vetëm biznesi kroat, por edhe turistët kroatë, kanë një interes të madh për Shqipërinë, dhe një linjë detare midis Durrësit e Rijekës do të ishte një urë lidhëse e rëndësishme për lehtësimin e udhëtimit të qytetarëve, por edhe të turistëve të të dyja vendeve. 

Ambasadorja kroate shoqërohej në këtë takim nga deputetja e parlamentit kroat Ermina Lekaj Prljaskaj, presidenti i këshillit kombëtar të minoritetit shqiptar në qarkun e Primorjes dhe Gorski Kotar, Gani Xharrahi dhe presidentja e këshillit të qytetit të Rijekës, Dorotea Pesic Bukovac.

S.L.