Dita Botërore e Autizmit synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së të prekurve, por edhe familjarëve të tyre.
Sipas statistikave, 1% e popullatës globale është autike. Simptomat e këtij çrregullimi shfaqen shpejt në jetë, përpara moshës 3-vjeçare. Prandaj specialistët e fushës kërkojnë mdërhyrjen e specializuar që në moshë të hershme.
“Evidentimi dhe ndërhyrja në moshë të hershme është element që ndihmon fëmijën për të marrë njohuritë pa humbur kohë dhe për të moderuar shumë sjellje, që mund të bëhen problematike më pas”,– thptë Emi Shehi, terapiste pranë qendrës TISS Durrës, që u vjen në ndihmë fëmijëve të prekur nga çrregullime të spektrit autik.
Nëse në qendrat e specializuara vogëlushët i nënshtrohen terapive specifike individuale sipas nevojave të fëmijës, vështirësitë më të shumta hasen, kur këta të mitur duhet të frekuentojnë kopshtet dhe shkollat. Prania e një mësueseje ndihmëse jo domodoshmërisht është zgjidhje e problemit, për më tepër shpesh ajo paguhet nga vetë prindi, duke rritur edhe më shumë shpenzimet e familjeve me fëmijë autikë.
“Fëmijët autikë që kanë nevojë për mësuesen ndihmëse kanë vështirësi ta aksesojnë këtë mësuese. Dhe nëse kjo mësuese aksesohet, jo gjithnjë mund të ketë marrë trajnimet dhe specializimet e nevojshme për të ndërhyrë dhe ndihmuar fëmijën. Përpos kësaj, një problematikë tjetër që është prezente është koha e limituar që kjo mësuese ndihmëse, e ofruar nga shteti në një shkollë shtetërore, ka në dispozicion për t’i dhënë fëmijës. Gjithashtu ka raste kur prindi lidhet vetë me këtë mësuese dhe bën pagesën në mënyrë individuale”,- thekson terapistja Shehi.
Kur një prind përballet me një problem zhvillimi, sikurse janë çrregullimet e spektrit të autizimit, prindërimi bëhet edhe më i ndërlikuar. Prandaj terapistja Shehi ka disa rekomandime të veçanta për ta.
“Prindërit duhet të jenë shumë të kujdessshëm dhe vigjilentë për të mos neglizhuar asgjë që mund t’i duket lehtësisht e kalueshme, apo lehtësisht e suportueshme. Neglizhenca akumulon problematika që në të ardhmen mund të bëhen më të vështira për t’u trajtuar. E fundit dhe jo më pak e rëndësishme është izolimi që prindërit u bëjnë fëmijëve në ambientet e jashtme, të cilat mund të jenë shumë produktive dhe efikase në atë çfarë fëmija mund të nxërë”.
Autizmi është një çrregullim kompleks që prek hapësira të shumëfishta të zhvillimit duke përfshirë ndërveprimin social, komunikimin verbal dhe joverbal, imagjinatën, sjelljet dhe interesat.
M.B.